Google ADS

Nesër mbahet protestë solidarizuese me punëtoret teknike të Kuvendit

21:30 | 19 Shtator 2024
K.B

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist të premten (nesër) do të mbajnë protestë pata ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në solidaritet me punëtoret teknike të Kuvendit të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë.

Në njoftimin për media nga ky Kolektiv, mësohet se protesta do të zhvillohet nga ora 13:00, shkruan Arbresh.info

“Punëtoret e pastrimit teknik të Kuvendit të Kosovës që nga dje kanë hyrë në grevë. Ato po kërkojnë rroga të cilat ua sigurojnë minimumin jetik e trajtim të dinjitetshëm në punë. Aktualisht ato marrin veç 275 euro në muaj në kushte pune denigruese dhe çnjerëzore”, thuhet në njoftim.

Deklarata e plotë:

PROTESTË NË SOLIDARITET ME PUNËTORET GREVISTE TË PARLAMENTIT

Punëtoret e pastrimit teknik të Kuvendit të Kosovës që nga dje kanë hyrë në grevë. Ato po kërkojnë rroga të cilat ua sigurojnë minimumin jetik e trajtim të dinjitetshëm në punë. Aktualisht ato marrin veç 275 euro në muaj në kushte pune denigruese dhe çnjerëzore. Të organizuara mbi të drejtën e tyre për punë dhe jetë të dinjitetshme, ato po kërkojnë të mos trajtohen si mall i cili ofrohet nga bizneset për shtetin, ashtu siç i ka definuar shteti përmes partneritetit publiko-privat por si njerëz prej mishi e gjaku e punëtore të cilat e mundësojnë punën e këtij institucioni.

Grevistet janë të vendosura në kauzën e tyre. Megjithatë, ato kërkojnë ndihmën tonë që përvojat dhe kërkesat e tyre të dëgjohen dhe të gjejnë zgjidhje. Teksa punëtoret janë duke e zhvilluar rezistencën e tyre haptazi në oborrin e Kuvendit, ne obligohemi t’iu bashkohemi e ta mbështesim kauzën e tyre për trajtim njerëzor në vendin e punës. Të qëndruarit krah tyre në këto kushte të skajshme shtypjeje e heshtimi të çdo punëtoreje e punëtori që ngreh krye ndaj shtypjes që i bëhet, është detyra e secilës e secilit prej nesh. Ne nuk mund të lejojmë që edhe një rezistencë të shuhet sepse skajohet qëllimshëm nga vëmendja publike. Përderisa shteti po ua mbanë krahun kapitalistëve e po e mirëmbanë shtypjen e punëtoreve, ne rreshtohemi krah grevistet dhe kërkojmë plotësimin e kërkesave të tyre.

Kërkesat e tyre për paga dhe trajtim të dinjitetshme duhet të na lëvizin të gjitha/ë ne dhe të dalim në shesh e t’i kërkojmë shtetit që t’i trajtojë punëtoret dinjitetshëm e jo si mall që blihet lirë. Greva e tyre është moment i rëndësishëm i artikulimit politik të gjendjes së klasës punëtore dhe kundërshtimit të zhvleftësimit në rritje të statusit të punëtores/it.

Andaj, ju ftojmë në mobilizim dhe solidarizim këtë të premte, nga ora 13:00, pranë objektit të Kuvendit. Të premten, e çdo ditë tjetër krahas punëtoreve dhe luftës së tyre për drejtësi e barazi.

Të ngjashme