Agjencia e Statistikave të Kosovës nesër nis procesin e regjistrimit të popullsisë në vend, i cili do të zgjasë deri më 17 maj. Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 deri në 2000 euro për person.
Por, çfarë duhet të dinë qytetarët rreth projektit të regjistrimit të popullsisë ReKos 2024?
Për t’u siguruar që qytetarët të kenë qasje për projektin e regjistrimit të popullsisë dhe të jenë të përgatitur mirë për disa detaje më specifike nga fushat kryesore, ASK ka publikuar disa sqarime.
Qëllimi i regjistrimit
Regjistrimi ndihmon në kuptimin e ndryshimeve demografike, planifikimin e shërbimeve publike si: shkollat dhe spitalet, ofrimin e shërbimeve të ndryshme nga komunat, transportin, ndarjet buxhetore, ndarjen dhe kufizimet e personelit shtetëror në një zonë ose komunë, si dhe për planifikimet në të ardhmen. Është thelbësore për formësimin e së ardhmes së komuniteteve dhe kombit. Një Regjistrim i saktë siguron përfaqësim dhe shpërndarje të drejtë të fondeve qeveritare.
Data dhe kohëzgjatja e regjistrimit të popullsisë
Regjistrimi i Popullsisë fillon më 5 prill dhe pritet të përfundojë më 17 maj 2024. Nga data 5 prill deri më 10 prill 2024 punonjësit (regjistruesit) e regjistrimit do t’i vizitojnë zonat tuaja të banimit dhe banesat/shtëpitë më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese. Gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohet ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Nga data 10 prill 2024 do të fillojë regjistrimi i përgjithshëm.
Si të merrni pjesë?
Personalisht: intervista duhet të zhvillohet në objektin e banimit të ose në afërsi të banesës/shtëpisë së respodentit (qytetarit). Intervista mund të zhvillohet në: banesë/shtëpi, hyrje, korridor, në një lokal afër banesës/shtëpisë, nëse ka një kopsht, terasë, ballkon ose vende të ngjashme.
Sa zgjatë intervista?
Varësisht prej numrit të anëtarëve të ekonomisë familjare, moshës dhe gjinisë, pritjet janë që intervista në një ekonomi familjare me 4 anëtarë të zgjasë rreth 30 minuta.
Kush duhet t’i jep të dhënat?
Të dhënat rekomandohet të merren nga secili anëtarë i moshës madhore (mbi 16 vjet) nëse ata/ato janë të pranishëm gjatë intervistës. Në raste të tjera, një anëtar i ekonomisë familjare mund t’i jep të dhënat.
Si zhvillohet intervista?
Intervista zhvillohet ballë për ballë. Pasi të jetë prezantuar regjistruesi, duke ju informuar mbi qëllimin e regjistrimit dhe çfarë do të regjistrohet, përcaktohet vendi dhe zhvillohet intervista.
Me çfarë pajisje grumbullohen të dhënat?
Të dhënat grumbullohen përmes tabletëve.
A mund të kem qasje se si po plotësohen pyetjet?
Gjate plotësimit të pyetjeve, respodenti (qytetari) mund të shikojë se si po plotësohen të gjitha fushat në aplikacion, si dhe mund ta shikojë çdo përgjigje që jep.
Si identifikohen punonjësit e regjistrimit?
Regjistruesit janë të pajisur me një jelek identifikues, çantë, ID dhe Autorizim.
Informacioni i kërkuar në regjistrim
Pyetjet e zakonshme që parashtrohen në Regjistrim janë aplikuar edhe në ReKos 2024. Pyetësorët janë në harmoni me rekomandimet ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimet nga UNECE dhe Eurostat.
Pyetësorët e regjistrimit janë publikuar në ueb faqen e ASK-së dhe secili qytetar ka qasje për pyetjet që do të parashtrohen për qytetarët. Për qasje më të detajuar rreth Regjistrimit dhe për t’u informuar, luteni ta vizitoni ueb faqen e Agjencisë së Statistikës së Kosovës: https://ask.rks-gov.net/Rekos
Kush regjistrohet?
Të gjithë qytetarët, që në periudhën ndërmjet 5 prillit deri më 17 maj 2024 qëndrojnë në Kosovë duhet të regjistrohen. Më pas, ASK-ja në bazë të kriterit të popullsisë së zakonshme rezidente do ta bëjë klasifikimin e personave rezidentë dhe jo rezidentë (gjatë kësaj periudhe mund të ketë numër të caktuar që regjistrohen, por që mund të jenë: turistë, punëtorë me punë te përkohshme nga shtetet e tjera, vizitë, ndonjë aktivitet kulturor a sportiv, kryesisht nga shtetet e tjetra).
Regjistrimi i diasporës
Për popullsinë e lindur në Kosovë ose kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës për më shumë se 12 muaj (ka një vendbanim-shtetet tjetër rezident) ata regjistrohen përmes një aplikacioni online (www.ediaspora.rks-gov.net) gjatë gjithë periudhës së Regjistrimit.
Në çfarë gjuhe zhvillohet intervista?
Intervista zhvillohet në gjuhën që e flasin komunitetet. Në ReKos 2024 gjuhët në program/aplikacion që do të mund të parashtrohen pyetjet janë: shqip, serbisht, anglisht dhe turqisht.
Dokumentacioni i nevojshëm
Nuk nevojiten dokumentet për t’i verifikuar disa përgjigje që kërkohen në pyetësor, si: pronësia, qiraja, verifikimi i adresës ose të ardhurat. Meqenëse numri personal duhet dhënë për çdo anëtar të familjes është mirë që të përgatiten më parë (skanohen ose printohen) numrat personal të çdo anëtari të familjes. Numri personal gjendet në pasaportë, letërnjoftim si dhe në ekstraktin e lindjes (ekstrakti mund të shkarkohet pa pagesë në eKosova).
A duhet të jepen të dhënat e plota dhe të sakta?
Të dhënat që kërkohen në pyetësor për te gjitha fushat janë obligative të plotësohen dhe në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, të dhënat duhet të jenë të sakta, pasi ato do të verifikohen nga burimet e tjera dhe çdo mospërputhje mund të jetë pjesë për ndëshkim.
Mosdhënia e të dhënave të sakta është vepër e dënueshme dhe dënimi është nga 30 euro deri 2.000 euro.
Në cilat pyetje mund të mos përgjigjem?
Në pyetjet rreth: përkatësisë etnike, religjionit dhe gjuhës që flisni mund të mos jepni përgjigje dhe nuk ka dënime.
Privatësia dhe konfidencialiteti
Të dhënat tuaja personale janë të mbrojtura me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ligjin për Statistikat Zyrtare dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Të dhënat do të anonimizohen dhe do të përdoren vetëm për analiza statistikore.
Detyrimet ligjore
Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj. Komunikoni qartë këtë dhe refuzimi nënkupton se ju mund të penalizoheni në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person./Arbresh.info
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...