Nëse Thaçi shkarkon ambasadorët, ata do të punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme

08:02 | 7 Mars 2020
A. B.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ditë më parë kërkoi nga gjashtë ambasadorët e Kosovës të tërhiqen nga misionet e tyre.

Kjo kërkesë ngjalli reagime nga vet ambasadorët, udhëheqësit e shtetit dhe qytetarët.

Por, situatë krejt normale po konsiderohet për njohësin e Kushtetutës, Mazllum Baraliun.

Ai në një prononcim për arbresh.info ka thënë se ambasadorëve u ka përfunduar mandati andaj duhet të kthen në Kosovë.

“Pikërisht pas mbarimit të mandatit , as kryeministri, e presidenti por vetëm ministria e Jashtme ka të drejtën të marrë vendime të caktuara që secili sipas meritave dhe aftësive që kanë, kushteve tjera duhet të merren parasysh dhe të caktoj, asgjë nuk ka ndodhur e padrejtë e as e jashtëzakonshme. Ka mbaruar mandati deh ata duhet të kthehen në Kosovë sepse ata janë kryesisht të emëruar polikë”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe emërimet e tjera duhet të bëhen nga MPJ.

“Propozimet i jep ministria, pastaj natyrisht që presidenti i vendit e jep vendimin formal-juridik.  Është MPJ ajo që duhet të koordinoj dhe organizoj dhe menaxhoj gjithë lëvizjet, avancimet dhe ndryshimet kur të u mbaroj mandati”, ka shtuar ai.

Baraliu ka thënë gjithashtu se pas kthimit në Kosovë ambasadorët do të jenë punëtorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ndërsa tërë jetën do të mbajnë titullin ambasador.

“Ambasadorët pas kthimit në Kosovë dhe sipas ligjit janë punëtorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, punojnë punë të cilat u caktohen e nëse nuk ka punë të tilla atëherë ata janë në pritje, në dispozicion. Ndonjëherë nuk do të duhet të ndodhte kështu, menjëherë ministria duhet të ishte efikase e aq më tepër ne që nuk kemi ende mjaftë diplomatë dhe të shtritë diplomacinë në vende të ndryshme të botës edhe aty ku duhet dhe ku kemi marrëdhënie diplomatike. Ata janë punëtorë te MPJ-së marrin paga dhe janë qytetarë profesional, titulli ambasador u mbetet tërë jetën”, ka përfunduar njohësi i Kushtetutës.

Ndryshe ambasadorët të cilëve u është kërkuar tërheqja nga misionet e tyre janë Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Greiçevci, Mimoza Ahmetaj,  Shpend Kallaba, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.

E për këtë kërkese kishin reaguar edhe nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili ka të drejtën kushtetuese për shkarkim të ambasadorëve.

Ata kanë bërë të ditur se do të shqyrtojnë nëse u vije zyrtarisht kërkesa.

“Nëse këto propozime vijnë zyrtarisht nga ana e Qeverisë, presidenti gjithsesi që i shqyrton”, thuhet

në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vjosa Çitaku përmes një postimi në rrjetin social facebook ka shkruar se përmes emailit ka pranuar njoftimin nga Konjufca se është kërkuar largimi i saj nga detyra.

Ndonëse ka thënë se e ka merituar një konsultim paraprak, Çitaku ka shtuar se pavarësisht vendimit të presidentit i mjafton fakti se më nuk është e dëshiruar.

“Para pak orësh, në të njëjtën kohë me publikimin e lajmit në Facebook, kam pranuar në email njoftimin për kërkesën përmes së cilës Ministri i Punëve të Jashtme Z.Glauk Konjufca ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës largimin tim nga detyra si Ambasadore e Republikës së Kosovës në SHBA.  Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emëroj dhe shkarkoj Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar. Megjithatë, besoj se e kam merituar një konsultim paraprak lidhur me propozimin në fjalë”, ka shkruar Vjosa.

Edhe ambasadori i Kosovës në Hungari, Edon Cana ka thënë se do të largohet posa të pranojë vendimin pasi nuk e ka besimin e ministrit.

“Sapo të pranoj dekretin dhe në përputhje me kërkesën e ministrit, do të tërhiqem. Nuk kam çka të kërkoj nëse nuk e kam besimin e ministrit”, kishte deklaruar Cana.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk ka njoftuar nëse ka pranuar zyrtarisht kërkesën për largim të ambasadorëve nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca./arbresh.info/

 

 

Të ngjashme