Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos masa të përkohshme për pezullimin e një neni të caktuar ose komplet Ligjit për pagat e sektorit publik, atëherë pagat e këtij muaji do të dalin në modelin e vjetër.
Kështu vlerëson juristi, Vigan Qorrolli në një intervistë për arbresh.info, derisa shton se sipas Kushtetutës së Kosovës, Institucioni i Avokatit të Popullit është i autorizuar që të kërkojë pranë Gjykatës Kushtetuese kontestimin e një norme të caktuar brenda një ligji të caktuar dhe ta kontestojë komplet ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
“Tani i takon Gjykatës Kushtetuese, sipas kërkesës dhe autorizimeve që i ka, të kontestojë, eventualisht ta shpallë të lejueshme kërkesën së pari, sepse është e lejueshme dhe ta konstatojë, nëse ka shkelje. Për çështjen e pagave do të shohim cilat do të jenë shkeljet e pretenduara të Avokatit të Popullit. Sepse, në disa raste ju kanë pranuar kërkesat Avokatit të Popullit, por shpresojmë që edhe kësaj radhe të gjykojë drejtë”, thotë Qorrolli.
Ai sqaron edhe vendimet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese.
“Në rast se gjykata vendos masa të përkohshme për pezullimin e një neni të caktuar ose komplet ligjit, atëherë pagat komplet të këtij muaji do të dalin në modelin e vjetër. Por, do të presim se si do të vendos Gjykata Kushtetuese për kërkesën”, deklaron Qorrolli.
Edhe vetë Avokati i Popullit ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji.
Avokati i Popullit, në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore, e ka dërguar të enjten në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.
Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore.
Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.
Avokati i Popullit i ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.
Duke marrë parasysh faktin se ka një numër të madh ankesash nga subjekte të ndryshme të sektorit publik, Avokati i Popullit konsideron se ekziston interesi publik që pajtueshmëria e këtij ligji me Kushtetutën të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese./arbresh.info/
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës