Kuvendi i Kosovës do të procedojë ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, por pa ia ndryshuar asaj emërtimin. Ky ndryshim mund ta detyrojë NATO-n të rishikojë angazhimin e vet në Kosovë.
“U përket autoriteteve të Kosovës që të vendosin për ndryshimet në mandatin dhe strukturën e FSK-së. NATO përkrah FSK-në nën mandatin aktual. Nëse mandati ndryshon Këshilli i Atlantikut Verior do të rishikojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë”, deklaron një zyrtar i NATO-s i pyetur nga Deutche Welle.
Në pyetjen se cilat mund të jenë këto ndryshime, organizata më e fuqishme botërore shpjegoi se ato nuk mund të parashikohen tani. “Ne nuk mund të parashohim vendimet e Këshillit të Atlantikut Verior”, dekalron zyrtari.
Këshilli i Atlantikut Verior është forumi më i lartë vendimmarrës i Aleancës së Atlantikut Verior e krijuar qysh në vitin 1949 dhe “vendimet e këtij këshilli janë shprehje e vullnetit kolektiv i të gjithë vendeve anëtare të aleancës, pasi vendimet bëhen në bazë të unanimitetit dhe pajtimit të përbashkët”, shkruhet në nenin IX e Traktatit të Atlantikut.
Transformimi i FSK-së në ushtri ka qenë një çështje e debatuar në radhët e institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi kjo e fundit ka kërkuar që këto ndryshime të bëhen në nivelin e Kushtetutës së Kosovës, gjë për të cilën kërkohet edhe aprovimi i pakicave duke përfshirë edhe Grupin Parlamentar (GP)Lista Serbe.
Për shkak të kundërshtimit të GP Lista Serbe ndryshimet kushtetuese kanë qenë të pamundura. Kështu të enjten (18.10) do të vendosen në votim tre ligje, që kanë të bëjnë me FSK-në.
Më herët gjatë një vizite në Prishtinë, komandanti Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo, pati thënë: “Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, kjo duhet të realizohet pas ndryshimeve kushtetuese”, pati thënë gjenerali Fogo.
Rishtazi edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj edhe krye-parlamentari Kadri Veseli kanë thënë se ata e kanë përkrahjen e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së për këtë transformim.
“Kosova e ka përkrahjen e Amerikës për Ushtrinë e Kosovës. Kjo është konfirmuar nga sekretari i Mbrojtjes James Mattis. E kemi bekimin e Amerikës për Ushtrinë”, është shprehur Haradinaj, duke përsëritur se “kjo do t’i kontribuojë paqes në rajon”.
Nga ana tjetër Serbia zyrtare dhe deputetët e Listës Srpska në Kuvendin e Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, pati deklaruar se “në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, e ato janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndryshon vendimin e tij kështu do të jetë edhe për Serbinë”, citojnë mediet në Serbi, ministrin serb të Mbrojtjes.
Tahiri i AAK-së liston “dështimet” e Qeverisë Kurti
Në Spitalin e Traumës trajtohet me sukses kanceri i kokës së...
Franca akuzon Izraelin për shkeljen e armëpushimit në Liban
Orav përsërit thirrjen e Borrellit për sulmin terrorist në I...
Kurti largohet nga Qeveria pas takimit me ambasadorët
Sulmi në Ibër-Lepenc, Hovenier: Mbështesim autoritetet kosov...