Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër temat e pakta, për të cilën flitet gati çdo javë dhe që secilën herë bëhet lajm.
Të gjithë kanë qëndrime për të dhe e komentojnë. Për të janë arritur marrëveshje e janë përpiluar propozime. Por, zgjidhja përfundimtare nuk është arritur kurrë.
Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, tha para mediave se, si kryeministër i një republike demokratike, nuk mund të formojë asociacione të komunave.
“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë. Ju tashmë e dini që ne e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat… nëse kryeministri do të themelonte asociacion të komunave, ky do të ishte një imponim ndaj komunave”.
Cila është rruga përpara?
Pavarësisht se Kurti i bëri këto deklarata, ai është përfshirë në të kaluarën në diskutimet për themelimin e Asociacionit.
Sipas njohësit të çështjeve politike, Agon Maliqi, Kurti, si kryeministër, nuk mund t’i ikë kësaj përgjegjësie.
“Mënyra se si do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihet përmes Marrëveshjes mbi Asociacionin dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese – që si rrjedhojë kanë krijuar detyrim politik, por edhe juridik për Qeverinë për ta dërguar për shqyrtim statutin [e Asociacionit]”, tha Maliqi, në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Maliqi konsideron se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një asociacion sikurse ai ekzistues i komunave, “por një trup të modelit të ri dhe me kompetenca shtesë, që duhet t’i shtohet rendit juridik, e që për rrjedhojë kërkon rregullim dhe përfshirje të të gjitha niveleve ekzistuese të pushtetit”.
Ndërkaq, Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel tha se deklarata e kryeministrit të Kosovës është e pasinqertë.
Sipas tij, “i ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për formimin e Asociacionit, por gjithmonë sipas një konteksti të caktuar”.
“Kosova vazhdon të jenë nën masa të Bashkimit Evropian, derisa Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për Banjskën, apo për refuzim të Marrëveshjes së Ohrit. Pse, atëherë, Kurti do ta ndryshonte pozitën e tij në këtë situatë? Nuk ekziston ndonjë përfitim zgjedhor apo diplomatik për të, nëse pranon ta formojë Asociacionin”, tha ai.
Historiku i Asociacionit
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër marrëveshje për parimet më 2015.
Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e marrëveshjes.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën në 23 pika të saj, ndonëse ato mund të harmonizohen.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë vazhdimisht që Kosova ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese një draft-statut për Asociacionin, të cilin e prezantoi Perëndimi në tetor të vitit të kaluar.
E pyetur për të komentuar deklaratën e Kurtit, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, tha se themelimi i Asociacionit është obligim ligjor për Kosovën, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Sipas saj, fakti që marrëveshjet për Asociacionin janë arritur në kuadër të dialogut, “nënkupton që secili propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së”.
Edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën, mungesa e hapave drejt themelimit të Asociacionit është përmendur si pengesë në procesin e normalizimit mes vendeve fqinje.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment edhe nga Uashingtoni, por nuk mori përgjigje. E, përgjigje nuk ktheu as Qeveria e Kosovës, pas kërkesës për ta sqaruar më tepër qëndrimin e Kurtit.
Prioritet: Marrëveshja Bazë
Në deklarimin para gazetarëve, Kurti ka insistuar në nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë – referencë për një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 2023.
Në një pikë të saj, ajo parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.
Agon Maliqi beson se pa e dërguar Kosova draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, “vështirë se mund t’i shohë përfitimet e parapara nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar garanci të sigurisë nëse ndërkombëtarët insistojnë në formim të Asociacionit, edhe pas “tërheqjes së Serbisë nga Marrëveshja Bazë”.
I dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se Serbia e ka tërhequr letrën e nisur nga ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër Marrëveshjes Bazë. Vetë Serbia nuk është deklaruar publikisht.
“Manovra për heqje të presionit para zgjedhjeve”
Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 9 shkurt 2025.
Jo pakkush i ka parë deklaratat e bëra së fundmi për Asociacionin si zvarritje të temës deri pas zgjedhjeve. Agon Maliqi në mesin e tyre.
“Deklaratat e kryeministrit i shoh si, thjesht, manovra të përkohshme për heqje të presionit para zgjedhjeve”.
Toby Vogel, ndërkaq, paralajmëroi për presion të shtuar ndaj Qeverisë së radhës. Sipas tij, nëse Kurti i fiton zgjedhjet, “nuk do të mundet pafundësisht të paraqesë arsye të reja pse nuk mund të formohet Asociacioni”.
Ai tha se më e rrugës do të ishte nëse Kurti do t’ua sqaronte komuniteteve pse në situatën aktuale disa marrëveshje të dialogut kanë mbetur pezull, dhe që njëkohësisht Kosova t’ua bëjë të qartë partnerëve që edhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e veta.
“Gjithë procesi duhet të zhbllokohet, jo vetëm ngërçi për Asociacionin”, theksoi ai.
Duke e parë situatën aktuale, Vogel vlerësoi se zor që mund të merret dikush me Asociacionin menjëherë pas zgjedhjeve.
Ellek: Pres që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje
Ukraina humbi 40 për qind të territorit që kontrollonte në K...
Mijëra migrantë me azil të refuzuar morën para për të lëshua...
Turi me diasporën, Rama takon nesër shqiptarët e Londrës
Amorim ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Casemiros te Man Utd...
Kanadaja i dorëzon Ukrainës sistemin ushtarak NASAMS