Nëse Haradinaj bëhet Kryeministër, PDK konfirmohet si partia e dytë

12:34 | 29 Korrik 2017
Arbresh.info

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë krijuan një situatë mjaft të vështirë për formimin e Qeverisë së re.

Koalicioni PAN, si fituese në zgjedhjet e 11 qershorit ka arritur të sigurojë 39 ulëse në Kuvend, por që nuk i mjaftojnë ta formojë qeverinë, shkruan Koha.net.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr 61 vota të të gjithë 120 deputetëve që ka Kuvendi i Kosovës.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe zgjedhjen e organeve të Kuvendit dhe verifikimin e mandateve të deputetëve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konsultim me partinë apo koalicionin fitues, në këtë rast me koalicionin PAN, e cakton mandatarin.

Nëse koalicioni PAN, si kandidat për kryeministër do vazhdojë ta ketë Ramush Haradinajn, atëherë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duhet ta dekretojë mandatar për formimin e qeverisë.

E në rast se Ramush Haradinaj bëhet kryeministër, atëherë lë postin e deputetit dhe automatikisht atë duhet ta zëvendësojë kandidati nga koalicioni PAN, i cili është i pari në listën e atyre që nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme që të bëhen deputetë.

Në këtë rast është ish-deptueti i PDK dhe kandidati nga po kjo parti, Nait Hasani.

Nëse do të ndodhte kështu, PDK-ja, do të çonte në 24 numrin e deputetëve të saj, duke u bërë me një më shumë se LDK-ja me të cilën tash për tash kanë numër të barabartë të ulëseve në organin më të lartë legjislativ.

Të ngjashme