Google ADS

Nëpërmjet Institutit për Krime të Luftës do të dëshmohet gjenocidi

23:54 | 9 Nëntor 2023
E.G

376 shqiptarë u vranë e pastaj u masakruan në Mejë të Gjakovës 24 vjet më parë.

243 civilë të tjerë të paarmatosur u masakruan në Krushën e Madhe. Policia dhe ushtria serbe njëjtë vepruan edhe me 147 shqiptarë të Izbicës, që njihet si masakra më e tmerrshme gjatë luftës në Kosovë.

Për t`i humbur dëshmitë e krimit, serbët dogjën kufomat e 53 personave të masakruar në Poklek.

Këto janë vetëm disa prej 400 masakrave që Serbia i ka kryer ndaj popullit të Kosovës gjatë viteve 98-99.

E 25 vjet pas luftës, shumë pak persona janë dënuar e vendosur para drejtësisë për krimet e kryera,në mungesë të fakteve dhe dëshmive.

Megjithatë, si mundësi e mirë e dokumentimit të të gjithë asaj çfarë ka ndodhur dy dekada më parë, po shihet Instituti për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se në Kosovë çdo cep ka dëshmi të krimeve serbe, vetëm se duhet ditur të shfrytëzohen.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Ismet Salihu, i cili për 7 vjet ishte pjesë e ekipit të Institutit të mëparshëm për Krime Lufte, thotë për RTK se dokumentimi i krimeve serbe mund të përdoret në të ardhmen si dëshmi për padi ndaj Serbisë për gjenocid.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme