528 specializantë u pranuan me kontrata të njëjta me vetëfinancim qysh në muajin shkurt të vitit të kaluar, por disa nga ta nuk morën paga e as subvencionet e premtuara nga shteti, e nga kjo mbetën jashtë nëntë specializantët nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, shkruan arbresh.info.
Në këtë kategori gjenden edhe nëntë (9) specializantë të cilët po ndjehen të diskriminuar në këtë drejtim.
Specializantja nga Mali i Zi, Antigona Kuka për arbresh.info tha se edhe pse ju ka nënshtruar të gjitha procedurave në formë të barabartë ajo asnjëherë nuk ka qenë pjesë e subvencioneve, kujdestarive dhe pagave të rregullta, ndryshe nga të tjerët që janë me po të njëjtën kontratë.
“Jam e vetme nga Mali i Zi dhe nuk është faji im që unë kam lindur atje dhe jam shqiptare në Mal të Zi. Unë ju kam nënshtruar konkursit që është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë në muajin shkurt dhe ju kam nënshtruar të gjitha proceduarave d.m.th krejt në rregull i kam dhe asnjëherë nuk kam qenë pjesë e subvencioneve, as e kujdestarive as e pagave të rregullta, d.m.th është një diskriminim total të cilin nuk e di pse e kanë ba, por thjesht dua të jem pjesë e çdo ligji të pagave, subvencioneve si gjithë koleget e tjerë sepse po ndjehem paksa e diskriminuar edhe për arsye se në Mal të Zi nuk kam shkollim në gjuhen shqipe, d.m.th adresa ime është ose Kosova ose Shqipëria. Unë në Kosovë e kam kryer edhe specializimin edhe këtu ndjehem si në shtëpi time dhe nuk e kuptoj pse duhet të ndahemi ne që nuk kemi shtetësi të Kosovës përderisa ne po flasim shqip sepse unë mund ta quaj edhe si vlerë anti kombëtare në këtë rast”, tha Kuka.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë këta specializantët kanë qenë në dijeni se ata kanë nënshkruar kontratë me vetëfinancim andaj edhe nuk ka një shkelje në këtë situatë.
“Ata janë specializante me vetëfinancim dhe vet kanë pranuar të specializojnë në këtë lloj specializimi. Askush nuk ka shkelur asnjë të drejtë të tyre, ata vijojnë specializimin sipas kontratave që i kanë nënshkruar. Tema e specializantëve përndryshe do të trajtohet brenda kuadrit ligjor që rregullon fushën e specializimeve në shëndetësi në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
E nga kjo ndarje specializantja Kuka tha se është e detyruar të pezullojë specializimin me shpresën që do ketë një zgjidhje konkrete për ta.
“Unë jam e detyruar që të pezulloj specializimin me shpresën që të bëhet një zgjidhje për ne, nga që nuk kam dashur që të vijë në Kosovë pa para dhe të jetojë si student sepse mendoj që edhe familja e ka kaluar atë barrë që mua të më trajtojë si studente. Tash kam për t’ia filluar por ende pa shpresë , ne kemi bërë disa kërkesa në Ministri të Shëndetësisë, Komitetit për Specializantë e shumë të tjera por asnjëherë nuk kemi marr përgjigjeje zyrtare shpresojmë që do të realizohet dhe zgjidhet edhe çështja jonë”, tha Kuka.
Për mos zgjidhjen e problemit që ata po i preokupon këta specializantë u detyruan të protestojnë, që vetë Kuka e quan të tillë për faktin se sipas saj ata janë duke u diskriminuar për faktin se nuk kanë pasaportë të Kosovës.
“Unë nuk e kisha quajt protestë kjo është më shumë si informim ngaqë ne jemi mjek dhe protesta është detyrim për ne, ngaqë ne nuk po na dëgjohet zëri mirëpo shpresoj që kjo të ketë zgjidhje dhe ne të rehatohemi si gjithë të tjerët dhe nuk dua që asnjëherë të jemi pjesë e ndashme që unë çdo herë të potencoj që jam e Malit Zi apo e Maqedonisë apo e Shqipërisë të trajtohem ndryshe, unë mendoj që i meritojmë të drejtat e barabarta. Detyrimi është i pashmangshëm për arsye se nuk janë një vit nuk janë tre muaj janë pesë vjet minimum edhe është barrë shumë e rëndë për ne. Ne kemi të drejt me mbajt familje ne kemi të drejt me ndihmi njerëz nuk e di pse duhet na me u diskriminua nonstop përderisa unë jam shqiptare, flas shqip edhe nuk kam shtetësi të Kosovës kjo nuk është faji im se un kam lind në Mal të Zi e nuk kam lind në Kosovë”, deklaroi Kuka.
Ndërkaq për këtë çështje Bekim Haxhiu, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, anëtarë i Komisionit për Shëndetësi, për arbresh.info tha se është papërgjegjësi totale nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë pasi që në planifikimin buxhetor për këtë vit ajo ka lënë jashtë këtë kategori, ku ka përgjegjësi të madhe ndaj tyre.
“Është papërgjegjësi totale e Ministrisë së Shëndetësisë në planifikimin buxhetor për këtë vit që nuk i ka përfshi këto kategori edhe jo vetëm këto por edhe një pjesë të kategorive të tjera të specializantëve të psikologjisë klinike të cilët tash e një vjet po presin me startu specializimin dhe nuk kanë fillu akoma. Ministria e Shëndetësisë e ka përgjegjësi të shpall përfituesit e këtyre kategorive, e ka pas obligim të sigurojë edhe jetën për ta, nuk janë të rëndësishëm emrat e ministrave, e rëndësishme është që ministria ka përgjegjësi ndaj tyre, nëse kështu vazhdohet ne vetëm po humbim kuadro shumë të rëndësishëm për të ardhmen e shëndetësisë, edhe këta që paguhen kanë hamendësimet e tyre për të vazhdu ose për të ikur nga Kosova”, tha Haxhiu.
Haxhiu tutje tha se kjo çështje është diskutua në Komisionin për Shëndetësi por që pa rezultat.
Ndërkaq sipas tij partia e cila pati në program kryesorë bashkimin kombëtarë la jashtë mbështetjes bashkatdhetarët nga trojet shqiptare.
“Ne e kemi diskutua në Komisionin për Shëndetësi po më vjen keq që qasja e pushtetit ndaj zgjidhjeve të problemeve është jo i mirë. Nuk ka përkujdesjeje institucionale nga Ministria e Shëndetësisë ndaj këtyre nëntë specializantëve edhe pse në pushtet ka ardh një parti e cila dikur në program e kishte bashkimin kombëtarë e tash i ka anashkalu kategoritë të cilat vinë nga trojet tjera të shqiptarëve”, tha Haxhiu.
Kujtojmë që specializantët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK) kanë protestuar edhe më herët para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kërkesa e tyre që t’u paguhen orët e kujdestarive është refuzuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa./S.D/arbresh.info/
Struktura fetare e Kosovës: 93.49 % të besimit islam, 2,31 %...
Rriten rastet e braktisjes së shkollës në Kosovë
Profesori Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtete...
Hasani: Mbi 5 mijë tekste mësimore në diasporë, rreth 20 mij...
Deliu- Kodra thotë se ushtarët e FSK-së kanë mbetur pa rrymë
Rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë...