Google ADS

Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve

18:55 | 25 Gusht 2020
Arbresh.info

Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherit Koordinatori Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Florian Dushi, sot ka marr pjesë në një ceremoni zyrtare të organizuar nga OSBE me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Zëvendësministri Dushi gjatë kësaj ceremonie theksoi se nënshkrimi i këtij Memorandumi në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, përveç që do të ndihmoj qendrën për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, njëherit do të obligon akterët relevant që të merren me këtë fenomen, përfshirë edhe institucionet që zbatojnë ligjet dhe politikat për parandalimin e dhunës në familje.

Në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dushi i ka njoftuar të pranishmit me hapat konkret të cilët janë ndërmarr nga Ministria e Drejtësisë në krijimin e mekanizmave adekuat në parandalimin e dhunës në familje si nevojë për zbatimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2010-2020 i cili i trajton shërbimet për viktimat dhe ndjekjen penale të kryesve të krimit.

“Ministria e Drejtësisë ka ndërmarr hapa konkret duke nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Shoqatës – Rrjeti i Shitësve me Pakicë, për qasje dhe lehtësim në punësim të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje” tha Zëvendësministri Dushi. Ai gjithashtu ka përmendur edhe sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë implementimit të strategjisë së kaluar, ndër to edhe çështja e financimit të qëndrueshëm për strehimoret, rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave, trajtimi i kryesve, strehimi i nënave me fëmijë dhe harmonizimi i legjislacionit nacional me dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas Zëvendësministrit Dushi, strategjia e re do të adresojë rritjen e shërbimeve të rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje duke bërë ndarjen e fondeve për shërbime integruese afatgjata në nivelin qendror dhe lokal. Poashtu, theksoi Dushi, do të bëhet themelimi i institucioneve dhe këshillimoreve me programe obligative për kryesit e dhunës. Në këtë strategji do të parashihet që në strehimore të ketë edhe një aneks për strehimin e nënave me fëmijë djem mbi 12 vjeç.

Në fund të fjalës së tij, Zëvendësministri Dushi ka falënderuar shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Brathu, për bashkëpunimin e deritanishëm shumë të rëndësishëm për Zyrën e Koordinatorit Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje si dhe të gjithë ata të cilët janë angazhuar në çështjet që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës në familje.

Zëvendësministri Dushi, theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi me qëllim të arritjes së një progresi substancial në parandalimin dhe trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme