Ushtruesja e detyrës e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, me nismë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni, ka nënshkruar Memorandumin e bashkëpunimit në fushën e turizmit me komisionerin e Agjencisë Japoneze të Turizmit, Tabata Hiroshi.
Sipas njoftimit për media përmes kësaj marrëveshje Kosova dhe Japonia kanë shprehur dëshirën për të zgjeruar marrëdhëniet miqësore në mes të qytetarëve të të dyjave shteteve për të lehtësuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e potencialit të turizmit në të dyja vendet.
“Marrëveshja synon të zhvillojë shkëmbimin e dyanshëm të informatave, përvojave dhe njohurive në fushën e turizmit përmes rritjes së numrit të turistëve ndërmjet dy vendeve, kontakteve të drejtpërdrejta midis autoriteteve përkatëse të turizmit dhe pjesëmarrjes në panaire të turizmit në të dyja vendet”, thuhet në njoftim.
U.d e ministres Krasniqi është shprehur se Kosova është e interesuar që përmes kësaj marrëveshje të ketë rritje të numrit të turistëve japonezë në Kosovë, si parakusht për tërheqjen e investimeve japoneze në turizëm edhe në fusha tjera me interes për ekonominë e vendit.
Gjatë vizitës në Japoni, ushtruesja e detyrës së ministres së bashku me përfaqësues të një numër shtetesh nga të gjitha kontinentet ka marrë pjesë në Ministerialin e Dytë për Turizëm, me temë:
“Menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm për zhvillimin e komunitetit”, të organizuar nga Organizata Botërore e Turizmit.
Krasniqi ka pasur rast të takojë zyrtarë të lartë shtetërorë të turizmit nga shtete si: Butani, Kamboxhia, Islanda, Indonezia, Mianmari, e Tajlanda, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimet e mundshme bilaterale në fushën e turizmit.
“Të gjitha këto aktivitete janë bërë në kuadër të panairit ndërkombëtar dhe më të madh në botë të turizmit “Japan Tourism EXPO 2018” i cili po mbahet në Tokio nga 20 deri më 23 shtator 2018. Kosova po përfaqësohet për herë të tretë në këtë panair, por për herë të parë nën ombrellën e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA. Përveç promovimit të Kosovës si destinacion turizmi, po promovohen edhe paketat e ndryshme turistike për Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në këtë panair po merr pjesë edhe një agjenci turistike kosovare e cila po prezanton paketat e veta turistike në Kosovë. Shtandin e Kosovës solemnisht e hapen u.d e ministres së MTI-së, Arbëreshë Krasniqi dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu.
“Turizmi është prioritet i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni. Së voni, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka shndërruar Divizionin për Turizëm në Departament për Turizëm dhe rregullisht mundëson pjesëmarrjen e operatorëve kosovarë të turizmit në panaire të turizmit në botë për të promovuar potencialet turistike të Kosovës”, thekson komunikata./Arbresh.info
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...