Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të organizuar në patronatin e tij, në nderim të jetës dhe veprës së heroit të kombit, Ali Ajeti, në përvjetorin e 35-të të rënies.
Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti veçoi se Ali Ajeti ishte i përkushtuar për Kosovën me gjithë qenien e tij, e tërë jetën kushtuar lirisë së Kosovës.
“Teksa sot bëhen 35 vjet nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti, duhen edhe dy javë që të bëhen 25 vjet nga ardhja e lirisë për Kosovën. Pra në këtë rast, mosha nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti është për 10 vjet më e madhe se mosha e lirisë sonë që e gëzojmë, që e jetojmë edhe si rezultat i veprës dhe rënies së Ali Ajetit. Kjo, sepse për lirinë e Kosovës, populli i saj ka nisur të paguaj shumë herët, që para se të fillonte lufta çlirimtare, meqë rezistenca dhe betejat për lirinë e Kosovës, janë vite dhe dekada më të hershme se lufta 1998 e ’99 kur ato kulmuan”, tha ai.
Duke folur për marsin e vitit 1989, kryeministri Kurti veçoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovës nga Serbia dhe ditë më pas miratimin e disa ndryshime kushtetuese me të cilat Serbia i dha vetes arbitrarisht kompetenca shtesë mbi Kosovën dhe rrjedhimisht suprimimin e autonomisë së Kosovës, që atë kohë ishte krahinë autonome në kuadër të Jugosllavisë, si ngjarje që i paraprinë organizimit dhe ekzekutimit të një aksioni të armatosur me 27 mars 1989, ku mbeti i vrarë një polic, i plagosur një tjetër nga grupi që njihej si “Çeta e Llapit”, e i cili drejtohej ushtarakisht nga Ali Ajeti, kurse politikisht nga Sabri Kiçmari.
“Mes dhjetëra organizatash ilegale të formuara dhe të shpërbëra në Llap që në vitet e ’50-ta, Çeta e Llapit ishte organizata e parë në Kosovë që kishte karakter ushtarak, pra të një rezistence të armatosur. Çeta e Llapit ishte trashëgimtare e një grupi edhe më të hershëm i quajtur “Grupi ilegal i Llapit”, i formuar që më 10 korrik të vitit 1981 në Podujevë, nga Ali Ajeti, Avdi Gjata dhe Hamit Hamiti”, tha kryeministri.
Shumë anëtarë të këtij grupi ishin arrestuar e burgosur politikisht në atë kohë, përfshirë edhe Ali Ajetin, që pas gjashtë muajsh në hetuesi, më 18 qershor 1984, u dënua me pesë vjet burgim. Në po të njëjtin proces gjyqësor politik me Aliun, ishin dënuar edhe Bajram Ajeti, Sherif Konjufca, Avdi Gjata, Ismet Begolli, Musa Jupolli, Sabri R. Hamiti, Mustafë Xhemajli, Bajrush Behrami, Kadri Llugalliu dhe Shaban Mulolli.
Pas lirimit nga burgu, në moshën 31 vjeçare, Ali Ajeti iu rikthye angazhimit për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit të tij. Me 30 maj, 1989, në ditën kur në Kosovë po ndodhej një delegacion i Parlamentit Evropian që kishte ardhur në Kosovë për ta parë gjendjen e shqiptarëve, në Podujevë Ali Ajeti me shokët e Çetës së Llapit, organizuan një demonstratë masive me parullat: “Kosova Republikë”, “Vetëvendosje”, “Liri, barazi, demokraci”, “Parlament mos lejo apartheid”, etj., Policia e Serbisë reagoi dhunshëm ndaj demonstruesve, kurse Ali Aliu që ishte edhe i armatosur, rezistoi me armë, derisa u vra. Atë ditë të martë, Ali Ajeti ra dëshmor, kujtoi kryeministri.
“Vet delegacioni i Parlamentit Evropian u deklarua i zhgënjyer që nuk iu mundësua t’i takonte të burgosurit, intelektualët dhe punëtorët, teksa konstatonte edhe vrasjen e Ali Ajetit. Do të duheshin edhe dhjetë vjet të tjera gjatë të cilave shumë nga shokët e Ali Ajetit do të bënin gjithashtu luftë çlirimtare, beteja të njëpasnjëshme, e madje edhe do të binin edhe dëshmorë porsi ai, që Kosova të çlirohet e mandej edhe të bëhet Republikë, siç guxuan ta ëndërronin, ta dëshironin, siç e kërkuan dhe siç vepruan dhe vdiqën për të, Aliu, shokët e tij të Çetës së Llapit dhe patriotë të tjerë. Me gjithë qenien i përkushtuar për Kosovë, tërë jetën kushtuar lirisë së Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.
Në këtë akademi përkujtimore, ku të pranishëm ishin familjarë dhe bashkëveprimtarë të Ali Ajetit, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtues e përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, u shfaq edhe dokumentari i realizuar nga Radio Televizioni i Kosovës për veprën dhe jetën e Ali Ajetit dhe “Çetës së Llapit”.
Isë Ajeti, në emër të familjes së heroit Ali Ajeti, falënderoi të gjithë ata që dhanë kontribut në realizimin e dokumentarit dhe shënimit të kësaj dite, kushtuar jetës dhe veprës së heroit Ali Ajeti, në veçanti shokët dhe shoqet e idealit të heroit, të cilët rrëfyen peripecitë dhe përjetimet e asaj kohe, Radio Televizionin e Kosovës dhe Zyrën e Kryeministrit, për promovimin e këtij dokumentari, i cili do të mbetet në arkivat e historisë së Kosovës. /Arbresh.info
Ramiz Brahimaj mposht fuqishëm Mickey Gall, i mjaftoi vetëm ...
80-vjetori i çlirimit, Veliaj: Tirana dhe Shqipëria sot janë...
Rusia kryen sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të U...
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës me atë të RMV-së, Krasniqi: D...
Gjesti me akuza ndaj Edit dhe Xhenetës që po bëjnë “filma”
Policia shqiptoi mbi 1600 gjoba brenda 24 orëve