Në Zahaq të Pejës arrestohen dy të dyshuar dhe konfiskohen mbi 36 mijë kg mish me afat të skaduar

22:01 | 15 Mars 2022
L G

Hartuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK)-Pejë së bashku me inspektorë të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Inspektorin Sanitar dhe zyrtarë të ATK-së, sot më 15.03.2022 në ora 10:15, në fshatin Zahaq të Pejës, kanë inspektuar (kontrolluar) një biznes ku dyshohej se po përpunoheshin produkte të mishit me afat të skaduar.

Gjatë inspektimit në këtë depo është gjetur mish me afat të skaduar, shkruan arbresh.info.

Në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia .

Sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar. Në deponinë e mbeturinave është bërë matja e mishit, pesha e përgjithshme e të cilit ishte: 36.180 (tridhjetë e gjashte mijë e njëqind e tetëdhjetë) kilogram.

Hetuesit e NJRHKEK-Pejë, rastin e kanë trajtuar në koordinim me prokurorin. Me këtë rast janë arrestuar të dyshuarit: A.H., (menaxher kryesor i pesë njësive të biznesit afarist) dhe A.A., (zv menaxher i depos). Mbi të arrestuarit rëndon dyshimi se kanë kryer veprën penale: ‘prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve te dëmshëm ushqimor’.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve mbrojtës dhe pas intervistës me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuar A.H., është ndaluar për 48 ore ndërsa i dyshuari A.A., është lëshuar në procedurë të rregullt./arbresh.info/

Të ngjashme