Me rekomandim të Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot në të gjitha xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe e përbashkët me temë: “Angazhimi familjar dhe kolektiv për luftimin e dhunës ndaj femrës”.
Në mesazhin e hytbesë së kësaj të premteje, u theksua dhe u shpjeguan argumentet fetare pse jemi të obliguar edhe fetarisht për këtë çështje.
Më tej u theksua se vrasja e një vajze të re në Ferizaj nga bashkëshorti i saj ishte lajmi që tronditi shoqërinë tonë këtë javë që veç po e lëmë pas.
Njoftimi i BIK:
Si institucion fetar që jemi, e dënojmë ashpër këtë krim të rëndë dhe kërkojmë nga autoritetet që të marrin masat e duhura, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten. Po kështu, kërkojmë nga shoqëria civile, që, bashkërisht, të punojmë për ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe se kjo dhunë është e pajustifikueshme.
Dhuna, parimisht, është e refuzuar, sepse, duke se Allahu xh.sh., nuk ia ka lejuar as vetvetes, atëherë ajo askujt nuk i lejohet. Allahu xh.sh., thotë: “…mos tejkaloni kufirin! – Se, Allahu, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (El Bekare, 190). Kurse në një hadith kudsij thotë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë dhe të tillë e kam caktuar në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri tjetrit padrejtësi!”. Për këtë shkak, Pejgamberi a.s.thoshte: “O Allahu im, unë i deklaroj rreptësishtë të paprekshme të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas.”
Se dhuna ndalohet flasin edhe shumë argumente tjera, të cilat parimore i shohin respektin, nderimin dhe vlerësimin femrës, jo dhunën ndaj saj. Allahun xh.sh., thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Rrum, 21).
Më tej në këtë hytbe u theksua se çështja tjetër që konsiderojmë se duhet të trajtohet dhe të merret me seriozitet, edhe për faktin se vazhdimisht po listohet si një ndër shkaqet kryesore të shfaqjes së fenomeneve negative, veçmas tek të rinjtë, është roli në zbehje i prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre. Kur’ani na urdhëron që të kujdesemi për familjen: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Tahrim, 6)
Këtë përgjegjësi në edukimin e fëmijëve na e kujton edhe Muhamedi a.s., i cili thotë: “Të gjithë ju jeni kujdestarë dhe të gjithë ju do të përgjigjeni për ata që kanë qenë në përgjegjësinë tuaj.”
Në fund të kësaj hytbeje u përçua mesazhi se duhet të ketë bashkëpunim ndërinstitucional për edukimin e fëmijëve. Edukimi i fëmijëve nuk është vetëm përgjegjësi e prindërve, por është përgjegjësi edhe e shoqërisë, respektivisht institucioneve tona edukativo-arsimore. Fakti se kohëve të fundit janë shfaqur kaq shumë dukuri negative në mesin e fëmijëve tanë, duhet të na alarmojë të gjithëve, dhe të na vë në lëvizje për të gjetur zgjidhjet më të mira për këto dhe probleme të ngjashme që për bazë kanë edukimin.
Prindërit, duhet të jenë në vijën e parë të frontit dhe për asnjë moment të mos ndalen së punuari me fëmijët e tyre, derisa shteti duhet të ndërtojë politika arsimore-edukative që në fokus kanë jo vetëm arsimimin, por mbi të gjitha edukimin e fëmijëve. E patjetër këtu një rol ta pazëvendësueshëm kanë prijësit fetarë të komuniteteve fetare në Kosovë, që me këshillat e tyre mund të asistojnë shumë në ruajtjen e karakterit dhe personalitetit të fëmijëve në secilën etapë të zhvillimit të tyre. E kemi thënë sa e sa herë dhe do ta përsërisim se zgjidhja më e mirë është edukimi fetar.
Asgjë nuk mund ta zëvendësojë edukimin fetar. Çdo vonim në aprovimin e edukimit fetar në shkolla është me pasoja. Ndaj, le të jetë kjo një thirrje për institucionet tona qeverisëse që ta marrin në konsideratë futjen e edukatës fetare në shkolla, ashtu siç veprojnë një numër i madh i shteteve në perëndim. Le të jetë ky një mesazh i yni kundër këtyre dukurive negative që po prekin fëmijët tanë!/arbresh.info/
Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Konsumon...
Pacolli uron festat e fundvitit: Gëzim dhe harmoni për të gj...
Murati: Do të përkrahim punëtorët e sektorit privat
Helikopteri godet ndërtesën e spitalit në Turqi, konfirmohen...
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...
Krasniqi: Jemi angazhuar për një klimë më të mirë për të bër...