Google ADS

Në vitin 2018 u shënua rritje e numrit të aksidenteve në komunikacion

15:31 | 13 Janar 2019
Arbresh.info

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka nxjerrë një raport, sipas të cilit, numri i aksidenteve në trafik gjatë vitit 2018 ka shënuar rritje, derisa gjobat e shqiptuara nga gjykatat për vepra penale në trafik janë kryesisht dënime me kusht

Përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës thanë se dënimet janë shqiptuar konform ligjeve në fuqi, kurse Policia e Kosovës thotë se numri i aksidenteve ka shënuar rënie.

Rreth 90 për qind e dënimeve të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2018 për kundërvajtje në trafik, kanë qenë dënime me kusht, derisa një numër shumë i vogël i atyre që kanë kryer vepra penale janë dënuar me burg efektiv, 6 deri 9 muaj apo 1 vit.

Këtë e ka bërë të ditur Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili pas monitorimit që i ka bërë institucioneve të drejtësisë, ka ardhur në përfundim se mos shqiptimi i masave të parapara me ligj për shkelje të rregullave në komunikacionin rrugor në Kosovë, ka bërë që qytetarët e padisiplinuar të kryejnë më shumë kundërvajtje.

Drejtori i KDI-së, Ehat Miftaraj, tha për Radio Kosovën se numri i aksidenteve në trafik ka shënuar rritje për çdo vit, ndërsa Task-forcën e Policisë së Kosovës për parandalimin e tyre e quajti të dështuar.

“Me vetë faktin që personat që i shkaktojnë aksidentet nuk i marrin dënimet e merituara që i përcakton Kodi Penal, por shqiptohen dënime të buta, ndikon që parandalimi i këtyre veprave penale të mos zbatohet fare në praktikë”.

Miftaraj rekomandon që për parandalimin e këtyre veprave penale, të aplikohen në përpikëri ligjet e zbatueshme në Kosovë si dhe të vihen kamera përreth rrugëve kryesore, në mënyrë që të shqiptohet dënimi i merituar.

“Por edhe përkundër faktit që Kodi Penal dhe ligji i cakton dënimet, në praktikë rrallë herë kemi parë marrjen e pikëve apo patentë shoferit. Vetë fakti i shtimit të numrit të rasteve të aksidenteve në trafik, do të thotë se policia duhet t’i shqyrtojë masat e ndërmarra për parandalimin e aksidenteve në trafik”.

Por, zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ajshe Qorraj, tha për Radio Kosovën se politika ndëshkimore është çështje që bie në kompetencë të gjyqtarëve, të cilët duhet të punojnë në bazë të ligjeve në fuqi.

“Andaj, gjyqtarët janë plotësisht të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre. Ata janë të detyruar të sillen në pajtim me bazën ligjore në fuqi dhe dënimet që i shqiptojnë të jenë në pajtim me ligjin dhe të bazuara në provat e rasteve konkrete”.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka paraparë disa plane për vitin 2019, siç është plani dimëror, i cili është aktiv e që ka të bëjë me prezencën e shtuar të policëve në rrugë. Ndërsa në kuadër të planit të punës për vitin 2019 ka paraparë njësi të veçantë të policisë për të ndërmarrë masa shtesë në sezone të ndryshme.

Por, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se këto masa kanë bërë që numri i aksidenteve në trafik të shënojë ulje.

“Në total të gjitha llojet e aksidenteve kanë pasur rënie në 11 për qind. Mirëpo, këto masa do të vazhdojnë edhe në vitin 2019 dhe varësisht prej nevojave do të ketë edhe ligjërata nëpër shkolla të ndryshme, do të ketë edhe fushata sensibilizuese. Pra, do të përdoren metoda të ndryshme në mënyrë që të ketë një siguri më të madhe në trafik dhe të ndikohet edhe në uljen e aksidenteve në përgjithësi”.

Gjatë vitit 2018 në Kosovë, 110 persona e kanë humbur jetën në aksidente të ndryshme komunikacioni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme