Google ADS

Në veri qarkullojnë automjete pa tabela të regjistrimit

10:37 | 3 Mars 2018
Arbresh.info

Në veri të Kosovës do të fillojë të zbatohet Marrëveshja për Tabelat e Regjistrimit të Automjeteve, e arritur në Bruksel në kuadër të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës kanë thënë se në ditët dhe në javët në vijim do të fillojë shfrytëzimi i shiritave që do të ngjiten mbi tabelat e regjistrimit me shenjën “RKS” dhe të atyre “SRB” gjatë kalimit nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Prejse është arritur Marrëveshja në Bruksel për Tabelat e Regjistrimit të Automjeteve të Serbëve të Veriut, vetëm tani do të fillojë të zbatohet Marrëveshja në terren.

Në këtë mënyrë serbët e veriut të Kosovës nuk do të mundë më t’i ngasin veturat pa tabela të regjistrimit, siç kanë bërë deri më tani, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Millan Radojeviq, u ka thënë medieve lokale serbe në veri të Mitrovicës se aktualisht është duke u punuar në hartimin e udhëzimit administrativ, me të cilin do të rregullohet çështja e regjistrimit të automjeteve me tabela kosovare në veri të Kosovës.

“Ka pasur disa udhëzime administrative, disa i kemi kthyer për t’u përpunuar, sepse nuk kemi qenë të kënaqur me temat që janë propozuar, edhe më tutje jemi duke punuar në këtë. Udhëzimi administrativ do t’i përfshijë detajet më të rëndësishme të Marrëveshjes për Liri të Lëvizjes, e cila është arritur në kuadër të dialogut teknik në mes të Kosovës e Serbisë”, ka thënë Radojeviq./Zëri/

Të ngjashme