Toka me qira, por pa kontratë ose më kontratë të skaduar. Kështu po veprojnë shumë Komuna të Kosovës me pronën e tyre publike të cilën ua japin në shfrytëzim subjekteve të ndryshme.
Ka edhe biznese që tokën e Komunës e përdorin pa ia paguar kujt asnjë centë.
Mos arkëtimi i të hyrave nga toka komunale po ndikon në pamundësinë e komunave për t’i përmbushur planet e shpenzimeve, dhe po ashtu po rezulton në vështirësi të mëtutjeshme në arkëtimin e të hyrave të ngarkuara.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportet financiare për shumicën e Komunave në Kosovë. Pos borxheve të tatimit në pronë, Auditori ka zbuluar qindra mijëra euro borxh që subjektet e ndryshe ua kanë Komunave borxh për shfrytëzimin e pronave. Në disa raste është buluar edhe dhënie e pronës publike në shfrytëzim duke u shmangur nga legjislacioni në fuqi, shkruan lajmi.net.
“Në 11 mostrat e testuara për pronat e dhëna me qira kemi vërejtur se 10 obligues nuk i kishin kryer obligimet ndaj komunës për pronën që shfrytëzojnë sipas kontratës. Obligimi i shfrytëzuesve ishin 131,633 euro. Menaxhmentit nuk kishte ndërmarr veprimet e duhura për t’i obliguar këta obligues që t’ju përmbahen kontratave të qirasë të lidhura me komunën”, ka zbuluar auditori për Komunën e Suharekës, i cili ka shfaqur rrezikun që kontrollet financiare lidhur me inkasimin e qirave janë të dobëta për të siguruar zbatimin efektiv të kontratave dhe se vazhdimi i praktikave të tilla mund të nxit edhe obliguesit tjerë t’i shmangen pagesës së qirave.
Në Komunën e Podujevës janë evidentuar dy raste kur pronat komunale shfrytëzohen me qira dhe pa kontrata valide. Madje shfrytëzuesit nuk kanë paguar asnjë vent që nga viti 2001-2002 për këto prona, edhe pse ngarkesa të cilën komuna ua ka bërë shfrytëzuesve të këtyre dy parcelave është 40 mijë e 767 euro, raporton lajmi.net.
“Në dy raste është vërejtur se pronat komunale shfrytëzohen me qira, pa kontratë valide të nënshkruar ndërmjet komunës dhe shfrytëzuesit. Për më tepër shfrytëzuesit nuk kanë bërë asnjë pagesë edhe pse pronat i shfrytëzuan që nga viti 2001 përkatësisht 2002. Ngarkesa të cilën komuna u ka bërë shfrytëzuesve të këtyre dy parcelave është 40,767€”, thuhet në Raportin e Auditorit.
Rast i njëjtë është edhe me një pronë tjetër e cila i është lëshuar një biznesi. Edhe pse kontrata ishte me pagesë për 300 euro në muaj, edhe ky shfrytëzues nuk ka bërë asnjë pagesë gjatë vitit.
“Komuna, sipas kontratës të datës 17.04.201210 ka dhënë me qira në shfrytëzim pronën komunale për veprimtari biznesi (300 euro në muaj). Mirëpo, shfrytëzuesi i pronës publike nuk kishte bërë asnjë pagesë gjatë vitit. Komuna nuk ka marr asnjë veprim për inkasimin e qirasë si dhe nuk ka shkëputur kontratën. Ndonëse me kontratë është e përcaktuar se, nëse qiramarrësi nuk paguan qiranë për tre muaj rresht, komuna duhej ta shkëpusë kontratën dhe ta kthente pronën nën menaxhimin e saj, kjo nuk ka ndodhur”, ka gjetur Auditori.
Edhe në Komunën e Malishevës është evidentuar se borxhi ndaj Komunës i qeras nga hapësirat publike është 50,149 euro.
Tek komuna e Lipjanit, Auditori ka vërejtur se palë të ndryshme i kanë kësaj Komunë mbi 100 mijë euro në emër të qirasë komunale. Sipas të gjeturave lista e debitorëve ndaj komunës, është 3,318,916 euro. Pjesa më e madhe e këtyre llogarive kanë të bëjnë me tatimin në pronë (2,637,029 euro), taksa në ushtrimin e veprimtarisë në biznes (578,359 euro), dhe qiraja komunale (103,528 euro). Nga 15 mostrat të testuar nga auditori për tatimin në pronë, është vërejtur se 12 obligues tatimor nuk i kishin kryer obligimet ndaj komunës. Obligimi për shfrytëzuesit në total ishte 238,118 euro. Nga 6 mostrat të testuara për qiratë komunale të LL/A, është vërejtur se 4 obligues nuk i kishin kryer obligimet ndaj komunës. Obligimi për shfrytëzuesit ishte 38,168 eurove.
Në Obiliq tek dhënia në shfrytëzim e hapësirave publike është gjetur se tek lëshimi me qira i hapësirës për byfe në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, këshilli drejtues i shkollës kishte bërë shpallje për ofertë duke vendosur kriter çmimin më të lartë. Megjithatë, kriteret tjera nuk janë specifikuar, prandaj edhe ofertat ishin të ndryshme për ditë apo për muaj (me çmim 6.5 euro për ditë, 160 euro muaj dhe oferta tjetër me 190 euro/muaj). Ofertuesi fitues ishte shpallur me çmimi 6.5 euro në ditë apo 160 euro/muaj. Prandaj, sipas kalkulimeve të auditorit nuk është zgjedhur oferta me çmimin më të lartë prej 190 euro në muaj.
Për më keq, auditori ka evidentuar se Obiliqi, ka në pronësi nëntë lokale afariste në objektin banesor D dhe GJ, prej të cilave, katër biznese private janë shfrytëzues të lokaleve, mirëpo komuna nuk kishte ndonjë vendim, kontratë apo marrëveshje për qira, dhe si pasojë, komuna nuk arkëton të hyra nga shfrytëzimi i këtyre lokaleve. Auditori ka shfaqur rrezikun se shfrytëzimi i lokaleve nga bizneset pa marrëveshje për qiranë, ka si pasojë mos inkasimin e mjeteve nga komuna si dhe mund të çoj në keqpërdorim të pronave komunale.
Tek Komuna e Gjilanit fare lehtë mund të aktivizohet edhe prokuroria e shtetit. Kjo pasi auditori ka vërejtur shmangie të procedurave në dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.
“Përkundër rekomandimit tonë për dy vite radhazi rreth organizimit të ankandit publik për dhënien në shfrytëzim të pronave publike, komuna ende nuk arrit të bëjë një gjë të tillë. Objektet vazhdojnë të shfrytëzohen edhe këtë vit vetëm me njoftim të Kryetarit për vazhdimin e kontratave në të njëjtën mënyrë”, ka gjetur auditori, i cili ka shfaqur rrezikun se mos organizimi i ankandit është jo në harmoni me ligjin Nr: 04/L-144 dhe ndikon në parimin e ligjshmërisë dhe efikasitetit. Njëkohësisht nuk ka trajtim të barabartë dhe transparent ndaj qytetarëve.
Andaj, Audirtori i ka rekomanduar kryetari që të iniciojë procedurat për organizimin e ankandit publik në mënyrë që të aplikohen parimet ligjore në fuqi dhe njëkohësisht të sigurohet transparencë dhe trajtim i drejtë dhe i barabartë për të gjithë shfrytëzuesit e mundshëm gjatë dhënies së objekteve me qira.
Më keq se Gjilani qëndron Prizreni.
Komuna për pronat e dhëna me qira për 2016 kishte planifikuar që të realizoj 1,350,000 euro, ndërsa kishte arrit të inkasojë 501,328 euro apo 37%. “Në vitin 2016 ishin bërë kontrata për shfrytëzimin e pronës komunale me çmim prej 1 euro në muaj për 8 lokale disa partive politike, duke mos organizuar ankande publike siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale. Këto lokale ishin dhënë duke u bazuar në vendimin e asamblesë komunale që ishte nxjerrë në vitin 2005. Po ashtu, edhe 8 lokale tjera dhe një objekt pronë e komunës nuk ishte organizuar ankand publik nga komuna, përderisa ato shfrytëzohen nga disa Organizata Jo Qeveritare dhe parti politike pa kontrata”, ka zbuluar auditori për Prizrenin.
Po ashtu, të gjeturat tregojnë se në dy raste qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, dhe këta shfrytëzues vazhdojnë të ngarkohen me qira vetëm me një shkresë të Drejtorisë së shërbimeve publike të datës 10.11.2014. Këta obligues i kanë borxh komunës shumën 285,834 euro.
Pa përmendur raste specifike, Auditori ka zbuluar se Komuna e Mitrovicës nga qiraja komunale ka 127,000 euro të pa inkasuara.
Mos arkëtimi i qirasë nga pronat publike është vërejtur edhe në Komunën e Kaçanikut.
“Të hyrat e planifikuara nga shfrytëzimi i pronës publike për vitin 2016 ishin 25,000€ deri sa ishin inkasuar 15,938€. Pavarësisht shkallës së inkasimit, me rastin e testimit tetë (8) rasteve kemi gjetur se komuna më 08.01.2016 ka vazhduar kontratën me qiramarrësit e pronës publike, edhe pse qiramarrësit nuk kishin kryer obligimet paraprake”.
PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi...
Driloni acarohet me Fitimin për shkak të Sarës, i bën një pa...
“Simba” dhe futbollistët e Gjilanit vizitojnë me fëmijet me ...
Tre të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe një automjeti...
Slot ka dhënë një mesazh të fortë për futbollistët e tij në ...
Mbappe: Askush në Real Madrid nuk do të pendohet kurrë për n...