Në takim virtual me Kurtin, baronesha nga Parlamenti britanik flet për ndikimin e politikës ruse në Ballkan

19:15 | 8 Shkurt 2022
L G

Ballafaqimi me të kaluarën ishte ndër temat kryesore të takimit virtual që Kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me Baroneshën Arminka Helić nga Dhoma e Lordëve e Parlamentit Britanik.

Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e qeverisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit, reformën në drejtësi dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës. Ai theksoi se ekonomia është përgjigjur pozitivisht, me rritje ekonomike prej 9.9% sipas Bankës Qendrore të Kosovës. Ai theksoi synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për rritje të bashkëpunimit rajonal.

Baronesha e uroi kryeministrin për të arriturat dhe progresin, dhe i dëshiroi suksese në qeverisje. Ajo shprehu mbështetje për programin e Qeverisë, duke theksuar se sukseset e Kosovës, janë suksese edhe për rajonin e Ballkanit.

Jam e inkurajuar kur shoh se qeveria u përgjigjet kërkesave të popullit për drejtësi dhe punësim dhe ofron stabilitet, tha ajo.

Përderisa Kosova të mos jetë e zonja e vetes dhe rajoni të mos ndikohet nga shtetet fqinje dhe politika ruse, nuk mund të vendoset paqja në Ballkan, theksoi baronesha.

Kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministren e Drejtësisë, njëherit Koordinatore Nacionale kundër Dhunës në Familje, znj. Nita Shala, dhe nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, biseduan me baroneshën Helić edhe për nismat institucionale për ballafaqim me të kaluarën. U veçua nisma për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës dhe hartimi i Strategjisë për drejtësi tranzicionale.

Gjatë takimit u bisedua për sfidat e proceseve për njohje dhe drejtësi për të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. U theksua puna e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve, dhe për gjithë shoqërinë.

Në fund gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe./arbresh.info/

Të ngjashme