Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe në këtë rast gjyqësor, gjykatësit ditë më parë vendosën që të mos përcaktonin kufizime për “vizitat private”, që do të thotë se vizitat speciale me bashkëshortet ose partneret dhe/ose fëmijët e të paraburgosurve do të kryhen jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.
Në vendimin e 9 shkurtit, Trupi Gjykues shqyrtoi informacion nga Zyra Administrative në lidhje me raste të tjera të nxjerrjes së informacionit konfidencial gjatë vizitave dhe u shpreh se “në të paktën dy raste, z. Selimim u përmendi dy palëve të paautorizuara informacion konfidencial në lidhje me dy dëshmitarë të mbrojtur, çka përbën nxjerrje të informacionit konfidencial.
Po kështu, z. Thaçi u përmendi informacion konfidencial dy anëtarëve të familjes së tij, çka përbën nxjerrje të informacionit konfidencial”.
Megjithatë, Trupi Gjykues përsëri nuk vendosi kufizime për vizitat private me bashkëshortet ose partneret dhe fëmijët. Megjithëse Trupi Gjykues nuk vendosi kufizime për vizitat private, gjykatësit theksuan se “kur Administratorja (ose shefi i Paraburgimit) ka informacion se ekziston rrezik i besueshëm që të zbulohet informacion gjatë një vizite, përfshirë gjatë një vizite private, Administratorja, (ose shefi i paraburgimit që vepron në emër të saj) ka kompetencë të refuzojë vizitën dhe/ose të caktojë masa që janë proporcionale dhe të domosdoshme për trajtimin me efektivitet të rrezikut.
Gjykatësit gjithashtu u tërhoqën vërejtje të akuzuarve dhe Mbrojtjes që të mos zbulojnë informacion konfidencial, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të mbrojtur, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.
Gjykatësit përsëritën gjithashtu se një i paraburgosur mund të kundërshtojë para Trupit Gjykues çdo vendim të Administratores për refuzimin ose vendosjen e kufizimeve për një vizitë private specifike.
Më 14 shkurt në të njëjtën çështje gjyqësore, Trupi Gjykues miratoi tërheqjen e Gregori Kihou si kryembrojtës i Hashim Thaçit, që hyn në fuqi ditën kur Administratorja e DHS-së cakton kryembrojtësin e ri për të përfaqësuar z. Thaçi.
Lidhur me një aspekt tjetër që ka të bëjë me mbrojtësit: pasi ka marrë kërkesën e Venkatesvari Alagendrës në lidhje me emërimin e saj të mundshëm si mbrojtëse e Salih Mustafës, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 8 shkurt konstatoi se mund të lindë konflikt interesi nëse ajo përfaqëson Salih Mustafën krahas pozitës aktuale si mbrojtëse e Jakup Krasniqit.
Megjithatë, Trupi Gjykues thekson se ky vendim nuk duhet të kuptohet si shprehje e mendimit të Trupit Gjykues mbi emërimin ose jo të znj. Alagendra si mbrojtëse e z. Mustafës, sepse për këto aspekte vendos Administratorja./rtk/
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit