Në prill të vitit të kaluar është aprovuar kalendari i ri i vaksinimit, në të cilin përfshihet edhe vaksinimi kundër “Human papillomavirus”, i cili mund të shkaktojë kancerin e qafës së mitrës.
E vaksinimi kundër kësaj sëmundjeje pritet të fillojë në javën e tretë të muajit shkurt, shkruan Arbresh.info.
Kështu ka bërë të ditur shefja e njësisë se vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Fetije Fetaj, e cila në një intervistë për Arbresh.info ka dhënë detaje rreth këtyre vaksinave.
Ajo theksoi se këto vaksina, këtë vit, do t’i marrin vajzat e moshës 12 vjeçare, pra vajzat që vijojnë klasën e gjashtë.
“Vaksina kundër Human papillomavirus (HPV) është vaksinë që jepet prej moshës 9 deri në 15 vjet, si grupmoshë ku është vërtetu që efikasiteti i vaksinës edhe koha më e mirë është për me u vaksinu, fillimisht vajzat. Por Kosova duke u bazuar në rekomandimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rekomandimin e
Komitetit Profesional Këshillues për imunizim dhe aprovimin e Ministrit, për këtë vit ka vendosur që vaksina të jepet në moshën 12 vjeçare, respektivisht vajzat e klasës së gjashtë”, u shpreh Fetaj për Arbresh.info.
Tutje, ajo tregoi se po planifikojnë që të sigurojnë edhe doza të tjera për vaksinimin e vajzave mbi moshën 12 vjeçare.
“Paraprakisht kemi bërë edhe planifikimin për vajzat e kësaj grupmoshe dhe bazuar në kërkesën e Institutit, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar doza të mjaftueshme që e mbulon këtë grupmoshë. Është plan dhe mendojmë që shumë shpejtë, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë të sigurojmë edhe doza shtesë për përfshirjen e një grupmoshe më të gjerë që ka me qenë 13 deri në 15 vjet fillimisht, pastaj të shohim edhe për mosha tjera”, potencoi shefja e njësisë se vaksinimit në IKShPK.
Ajo tha se kjo vaksinë ka më shumë efektivitet nëse e marrin moshat më të vogla, nga 12 deri në 15 vjeç.
Sipas Fetajt, vaksina është e sigurt, pa efekte serioze anësore dhe mbron mbi 90% të kancereve që mund të shkaktohen nga virusi HPV.
“Human papillomavirus është infeksioni më i shpeshtë, viral i organeve riprodhuese, sidomos tek femrat. Kjo vaksinë, vaksina HPV mbron diku rreth mbi 90% të kancereve të cilat shkaktohen nga ky virus. Pra, është një vaksinë e cila prej 2006-tës diku është lançu dhe ka qenë për përdorim. Janë diku 126 shtete të botës që e kanë në kalendarin e rregullt të vaksinimit, është një ndër vaksinat më të testuara dhe më të provuara edhe pasi ka dalë në treg, kështu që është vaksinë shumë e sigurt. Deri më tani, dmth prej 2006-tës, nuk është identifiku ndonjë efekt anësor serioz, përveç efekteve anësore të pritshme, të lehta, të cilat i kanë edhe vaksinat e tjera, një dhimbje e krahut ose pak ënjtje, një temperaturë e lehtë, një dhimbje koke, asnjë efekt anësor tjetër”, theksoi ajo.
Mes tjerash, shefja e njësisë së vaksinimit në IKShPK bëri të ditur se qytetarët do të informohen në momentin që sigurohen doza të tjera të vaksinës për vaksinimin e moshave tjera./Arbresh.info/Rreze Sylhasi/
Intervista e plotë
LEXO EDHE:
Sigurohen mbi 15 mijë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, në shkurt pritet të nis vaksinimi
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...