Në Nju Jork, festimi i përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës u shënua në një mënyrë të veçantë. Rreth 30 shoqata shqiptaro-amerikane organizuan një mbledhje fondesh për familjen e tre vëllezërve Bytyqi që u vranë nga forcat Serbe në vitin 1999, në përfundim të konfliktit të Kosovës, raporton Zëri i Amerikës.
Rreth 600 vetë erdhën në këtë hotel në Westchester të Nju Jorkut, për të festuar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke grumbulluar fonde për një kauzë të veçantë: Çuarjen në vend të drejtësisë për vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyçi, që u vranë nga forcat serbe në mbarim të luftës në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Këtë vit mbushen njëzet vjet nga ajo kohë dhe në Serbi nuk janë ngritur akuza ndaj askujt për vrasjen. Por Ilir Bytyçi, vëllai i Yllit, Mehmetit dhe Agronit, është optimist: “Duke patur Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i bën presion Serbisë, jemi të sigurt se do ta arrijmë drejtësinë”.
Për ndriçimin e çështjes, familja Bytyçi ka bërë rreth 50 udhëtime për në Serbi dhe rreth 100 në Uashington, por premtimet e Beogradit për të nxjerrë ekzekutorët para drejtësisë kanë mbetur në letër.
Komuniteti shqiptar i Amerikës po e ndihmon familjen që drejtësia të vihet në vend.
“Familja ka nevojë për fonde, sepse këto fonde do të shkojnë për avokatin, të cilit i duhen për udhëtime të ndryshme, për të shkuar në Evropë, në Uashington DC, në Departamentin e Shtetit dhe për nevoja të ndryshme,” thotë Valon Nikçi, një ndër organizatorët.
Praveen Madhiraju është avokat i familjes Bytyçi. “Beogradi dhe prokurorët nuk kanë bërë asgjë për çështjen. Siç dihet, Presidenti Vuçiç ka bërë shumë premtime, madje edhe ka vënë gishtin te personat e dyshuar, por nuk ka bërë asgjë për këtë. Kjo e ka zemëruar komunitetin, familjen dhe Shtetet e Bashkuara dhe i ka nxitur të shtojnë trysninë për të bërë diçka tani,” thotë avokati.
Tanya Domi është profesore në Universitetin e Kolumbias: “Në Kongresin amerikan ka shqetësim në rritje se Serbia nuk i ka përmbushur premtimet e bëra nga Presidenti Vuçiç në disa takime me amerikanët, publikisht dhe privatisht, dhe se tani është koha që ai të veprojë dhe t’i sjellë ata njerëz përpara drejtësisë.”
“Jeta e tyre u vu në themelet e shtetit të Kosovës, në themelet të cilat çdo ditë e më tepër ngrihen fuqishëm mbi sakrificën e këtyre djemve e vajzave që dhanë jetën,” thotë Teuta Sahatqija, përfaqësuese diplomatike e Kosovës në Nju Jork.
Me rastin e festimit të Ditës së Pavarësisë dhe për të nderuar kujtimin e vëllezërve Bytyçi, në sallë kishte ardhur një grup policësh shqiptaro-amerikanë.
“Kam ardhur për të festuar 11-vjetorin e pavarësisë. Jam shumë i gëzuar dhe krenar. E uroj Kosovën për një të ardhme më të ndritur,” thotë Muhamet Mjeshtri, pjesë e Departamentit të Policisë të qytetit të Nju Jorkut.
Hyrja e grupit të policëve shqiptaro-amerikanë u prit me solemnitet në sallë. Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, ishte ndër organizatorët kryesorë të aktivitetit: “Sonte ne nuk festojmë vetëm pavarësinë e Kosovës, por i qëndrojmë përkrah familjes Bytyçi. Nëse nuk ka drejtësi për tre djemtë e tyre, nëse nuk ka drejtësi për tre vëllezërit tanë, nuk do të ketë kurrë paqe.”
Zoti Gjonaj foli për idetë që po qarkullojnë muajt e fundit për mundësinë e korrigjimit të kufijve të Kosovës: “Ata kufij duhet të njihen nga Serbia. Ato janë njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera. Ne do t’u qëndrojmë fort kufijve tanë, sepse ne nuk kemi më toka për të dhënë. Mesazhi im për Serbinë është i thjeshtë: Mitrovica, Ujmani dhe Trepça do të jenë gjithmonë pjesë e Kosovës.”
Më pas, në fjalimin që mbajti përpara komunitetit, zoti Gjonaj foli me tone të ashpra lidhur me politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe bëri thirrje për bojkotimin e mallrave serbe.
Komentet e tij bëhen ndërkohë që zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara po e shtojnë trysninë ndaj qeverisë së Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind mbi mallrat serbe të importit.
Në mbrëmje ishin edhe prindërit e vëllezërve Bytyçi, Ahmet dhe Bahrije, të cilët u përshëndetën me duartrokitje nga të pranishm.
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...