Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 99-të, i cili mban kodin W0295 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është duke dëshmuar me masa mbrojtëse dhe në seancë private për publikun, e që pyetjet i kanë filluar përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përpara se të fillojë dëshminë dëshmitari në fjalë, avokatja e Veselit, Ann Rowan tha se dëshmitari është i përfaqësuar nga një përfaqësues.
Sipas Rowan, ZPS-ja nuk ka kërkuar në aplikimin e saj që ky dëshmitar të ketë mundësinë që të konsultohej me ndonjë përfaqësues dhe që trupi gjykues nuk ka nxjerrë vendim që ky dëshmitar të mund të konsultohet me përfaqësuesin e tij.
“Sipas mendimit tonë i nderuar gjykatës, ky dëshmitar është si të gjithë të tjerët dhe të gjithë dëshmitarët marrin të njëjtin paralajmërim nga trupi gjykues që me të filluar dëshminë e tyre, ata nuk mund ta diskutojnë me askënd jashtë sallës së gjykimit. E njëjta gjë vlen edhe për këtë rast”, tha Rowan.
Rowan tha se dëshmitari duhet të paralajmërohet tani se nuk duhet që ta diskutojë dëshminë e tij me dhënësin e informacionit.
“Ne kërkojmë që kjo jo vetëm që të bëhet vetëm me këtë dëshmitar, por edhe me dy dëshmitarët e tjerë të cilët do të vijnë”, tha Rowan.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do ta mbikëqyrin situatën dhe nëse ka tendenca për komunikim në mes dëshmitarit dhe personave të dytë, atëherë do të ndërhyjnë.
“Ne do të vazhdojmë që ta mbikëqyrim situatën e cila ndodhet para nesh dhe në qoftë se ndodhë ndonjë komunikim, ne do të ndërhyjmë dhe do ta zgjidhim këtë çështje në momentin e duhur. Sigurisht që ne do e njoftojmë atë siç bëjmë gjatë gjithë fundit të ditës se nuk mund të diskutojë dëshminë e tij me asnjë person tjetër. Unë nuk po e argumentoj qëndrimin që keni ju, por që do ta mbajmë në mbikëqyrje gjatë gjithë kësaj kohe dhe jo përpara kohe”, tha Smith.
Ndryshe, avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis tha se të premten rreth orës 17:00 janë njoftuar për tri shtojca që përbëjnë rreth 450 faqe të materialit që kanë të bëjnë me tre dëshmitarët e radhës.
“Në fakt neve i kemi kërku prokurores që të shtynte dëshmitë e këtyre dëshmitarëve në mënyrë që të kemi mundësinë që të lexojmë materialet që lidhen me ata”, tha tutje Ellis.
Avokati Ellis tha se Prokuroria ka rrëzuar kërkesën e tyre dhe se nëse do të ndodhin gjëra të tilla edhe në të ardhmen, do të detyrohen që të kërkojnë shtyrje të procesit.
“Prokuroria e rrëzoi këtë kërkesë tonë. Ne jemi në gjendje që të vijojmë sot dhe nesër, megjithatë duhet që për procesverbal të themi që është e pamundur të lexohen 450 faqe materiale për dëshmitarët e planifikuar për të hënën, të martën dhe të mërkurën. Kështu që thjesht, në qoftë se ndodhë diçka e tillë në të ardhmen, nuk kemi asnjë lloj opsioni tjetër por të kërkojmë shtyrjen e procesit”, tha ai.
Ellis tha se materiali që ua ka dhënë Prokuroria tani, këta të fundit e kanë pasur shumë kohë më përpara në dispozicion dhe nuk ua kanë dorëzuar.
Prokurori kërkoi që të përgjigjet në seancë private lidhur me parashtrimin e Ellis për shkak të përmbajtjes së dokumenteve dhe masave mbrojtëse. Kur u hap seanca, palët shkuan në pushim dhe nuk dihet se çfarë vendimi është marrë.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën