Në seancën e rigjykimit të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, ish-kryesuesi i Komisionit, Vehbi Berisha, i cili ngarkohet se i dëmtoi kandidatët e partive politike për 108 vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në vendvotim të fshatit Kryshec, tha se me qëllim nuk ka bërë asgjë dhe se sipas tij kryesuesi ka për detyrë vetëm të shikojë.
Këtë deklarim, i akuzuari Berisha e bëri në seancën e së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, i akuzuari Berisha tha se mbetet pranë mbrojtjes që kishte dhënë herën e parë përgjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Me qëllim nuk kam bërë asnjë send, këtu mas pakti unë kam pas faj, kryesuesi ka për detyrë vetëm me i këqyr dhe anëtarët e partive politike të komisionit kanë pasur për detyrë t’i shënojnë dhe t’i numërojnë ato”, tha i akuzuari Berisha.
Më pas, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, tha se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 10 shkurt 2022, në shqyrtimin gjyqësor si dhe në aktakuzën e precizuar.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Xhelal Radoniqi, deklaroi se nga përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së precizuar vjen në përfundimin se i mbrojturi i tij nuk ka pasur qëllim kryerjen e veprës penale, ku sipas tij përshkrimi i dispozitivit në veprimet e të akuzuarit në asnjë fjalë nuk thuhet cili ishte veprimi i të akuzuarit që mund të konsiderohet se kishte qëllim t’i falsifikojë rezultatet e votimit.
Avokati Radoniqi shtoi se gjatë shqyritmit gjyqësor, me asnjë provë nuk ishte vërtetuar se i pandehuri kishte qëllim për të falsifikuar rezultatet e votimit. Sipas tij, ai kishte vepruar sipas rregullave të përgjithshme në Kosovë, andaj i propozoi gjykatës, që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza.
Kurse, i akuzuari Berisha, mbeti pranë fjalës së mbrojtësit të tij dhe fjalës së dhënë në shqyrtimin e parë gjyqësor.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, shpalljen e këtij aktgjykimi e caktoi më 3 maj 2023.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 11 shkurt 2022, e kishte shpallur të pafajshëm nga aktakuza për falsifikim të votave ish-kryesuesin e Komisionit në zgjedhjet e 2017-ës, Vehbi Berisha.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 15 shtator 2022, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, dhe çështjen penale e ktheu në rigjykim, me arsyetimin se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor nuk ishte vërtetuar se i akzuari ka kryer veprën penale që me aktakuzë i vihet barrë.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 19 dhjetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Vehbi Berisha akuzohet se më 11 qershor 2017, në fshatin Kryshec, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij lidhur me zgjedhjet, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.
Sipas aktakuzës, i pandehuri që ishte i autorizuar nga KQZ si kryetar i komisionit zgjedhor, ka shkelur nenin 102, paragrafin të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, më ç’rast në ditën kritike, në vendvotimin numër 1724C/01R, pas numërimit të votave, në Formularin e Rezultateve të Kandidatëve ka regjistruar gabimisht votat e kandidatëve.
Bazuar në aktakuzës, i pandehuri ka regjistruar 25 vota më pak si dhe 83 vota më shumë, e ku gjithsej me 108 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm të partive politike, ashtu që PDK-së i janë shtuar 51 vota, LDK-së 29 vota, LVV-së 3 vota, kurse i janë hequr PDK-së 18 vota, LDK-së 4 vota dhe LVV-së 3 vota.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 219, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryerësi dënohet me burgim prej tre deri në pesë vjet.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...