Trupi gjykues në rastin ndaj Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit, ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për ndryshimin e listës së provave, duke shtuar edhe gjashtë raporte plotësuese nga një institut i jashtëm kriminalistik, si dhe një shënim lidhur me një video-incizim.
Sipas zëdhënëses së DhSK-së, Angela Griep, trupi gjykues në këtë rast ka vlerësuar se raportet japin informacione shtesë, si dhe materiali filmik do i ndihmojë palët, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Më 11 nëntor, trupi gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë për ndryshimin e listës së provave materiale dhe shtimin e gjashtë raporteve plotësuese nga instituti i jashtëm kriminalistik dhe të një shënimi lidhur me një video-incizim. Trupi gjykues vlerësoi se raportet japin informacion të konsiderueshëm shtesë dhe se shënimi lidhur me materialin filmik do të ndihmojë palët, si dhe trupin gjykues për vlerësimin e video-incizimit”, tha Griep.
Zëdhënësja shtoi se me kërkesën e palëve, fillimi i gjykimit në këtë rast është shtyrë, ndonëse ishte planifikuar të niste më 14 nëntor 2024.
Si rrjedhojë, ajo tha se më 13 nëntor, palët dhe Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, janë urdhëruar që të organizojnë proces të informimit të dëshmitarëve, në mënyrë që të njihen me sallën e gjyqit, të informohen për proceset dhe cilat palë janë të përfshira.
“Trupi gjykues rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për lejimin e takimeve përgatitore me dëshmitarët, mbi bazën se ngjarjet në fjalë kanë ndodhur në prill 2023 dhe dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria janë intervistuar kohët e fundit, e për rrjedhojë ngjarjet i kanë të freskëta në mendje”, tha tutje Griep.
Kurse, tek rasti ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, Griep tha se është rrëzuar një kërkesë e mbrojtjes që të lejohej apelimi i një vendimi me anë të së cilit ishin pranuar dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve vetëm në formë të shkruar.
“Trupi gjykues ishte i mendimit se pikat e ngritura nga mbrojtja ishin thjesht mospajtim me vendimin e mëparshëm të trupit gjykues për pranimin e dëshmive në fjalë”, tha ajo.
Ndërsa, më 13 nëntor 2024, është miratuar kërkesa e mbrojtësit të viktimave që të lejohet ndryshimi i masave mbrojtëse lidhur me një viktimë pjesëmarrëse, për t’iu dhënë informacion autoriteteve të caktuara.
“Trupi gjykues konstatoi se nxjerrja e identitetit dhe statusit të viktimës për autoritetin përkatës nuk përbën rrezik për viktimën apo familjen e viktimës”, tha Griep.
Ajo theksoi se është vazhduar masa e paraburgimit për Rexhep Selimin dhe Jakup Kransiqin, pasi është konstatuar se ekzistojnë rreziqet që ata të pengojnë procedurat ose të kryejnë krime të tjera.
Griep tha se në këtë rast, deri tash kanë dhënë dëshmi në sallën e gjyqit 103 dëshmitarë, ndërsa seanca e ardhshme pritet të mbahet më 18 nëntor sipas orarit të zakonshëm.
Në rastin e Pjetër Shalës, ajo tha se është vendosur se urdhri për zhdëmtim të viktimave në këtë rast të shqiptohet më 29 nëntor 2024, duke filluar nga ora 11:00 në seancë publike dhe në prani të të pandehurit.
Po ashtu, ajo potencoi se më 7 nëntor është miratuar një kërkesë e mbrojtësit të viktimave për të lejuar ndryshimin e pjesshëm të masave mbrojtëse lidhur me një viktimë pjesëmarrëse e që njëkohësisht është edhe dëshmitar.
“Paneli konstatoi se nxjerrja e kërkuar e informacionit nuk do të përbënte rrezik për viktimën apo familjen e viktimës. Gjithashtu, Paneli mori parasysh se viktima kishte dhënë pëlqimin dhe se Prokuroria nuk kishte paraqitur kundërshtime”, tha ajo.
Griep tha se Apeli ka miratuar edhe një kërkesë të ZPS-së dhe mbrojtësit të viktimave që përgjigjet e tyre ndaj dosjes apeluese të mbrojtjes ta dorëzojnë jo më vonë se 17 janari 2025. Sipas saj, kjo vije për shkak se edhe afati i mbrojtjes për dorëzimin e dosjes përfundimtare është zgjatur.
Po ashtu, Griep theksoi se kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova të martën është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile e po ashtu përmes internetit me gazetarë.
“Gjatë bisedës me shoqërinë civile, kryetare Trendafilova, ndër të tjera, u pyet lidhur me seancat gjyqësore që janë të mbyllura për publikun. Pasi theksoi rëndësinë e transparencës, ajo shpjegoi masat e ndryshme që marrin gjykatësit për të garantuar që proceset gjyqësore të jenë sa më publike që është e mundshme dhe shtoi se në rastet kur seancat janë të mbyllura për publikun, kjo bëhet për mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha ajo.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?