Në Bruksel po vazhdojnë takimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Pas takimeve që dy delegacionet zhvilluan më 7 shtator me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, të mërkurën duhet të zhvillohet edhe një takim i përbashkët i palëve.
Por, të martën u pa se palët nuk kanë gjetur pajtim as për temat e rendit të ditës që duhen të diskutohen në takimin trepalësh.
Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ndaloi hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviqit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.
Megjithatë, nga MPJD-ja nuk kanë sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë.
Kosova, sipas zëvendëskryeministrit Bislmi, nuk dëshiron që të diskutohet sërish për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por do vetëm të diskutohet për zbatimin e tyre.
Për disa marrëveshje të arritura më herët, siç është ajo për targat e veturave, të cilës së shpejti i skadon afati kalimtar, siç ka paralajmëruar Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit.
Delegacioni i Serbisë, ndërkaq, ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Marrëveshjen për drejtësi, atë të vizitave zyrtare dhe për çështjen e të zhdukurve. Sipas burimeve diplomatike, Beogradi zyrtar po insiston që të mos diskutohet për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, por së pari të diskutohet për formimin e Asociacionit.
Sipas paralajmërimeve të mëhershme të delegacionit të Kosovës, në takimin trepalësh pritet të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, edhe rreth kësaj teme është paraqitur pengesë fakti që në delegacionin e Serbisë bën pjesë Velko Odalloviq dhe pala kosovare nuk dëshiron që të takohet me të.
Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.
Takimet e këtij raundi bisedimesh në Bruksel janë të rëndësishme për organizimin e një takimi në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Kurti-Vuçiq pritet të ndodhë në fund të shtatorit.
Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.(Rel)
Bejruti përballet me sulme të vazhdueshme izraelite
Shqipëria e angazhuar për të forcuar sigurinë detare
67 kandidatë kalojnë testin me shkrim për 21 pozita për gjyq...
Mediat ndërkombëtare shkruajnë për ndërprerjen e ndeshjes Ko...
Policia ndalon në Bërnjak një furgon me targa serbe që po tr...
Njoftimi i UEFA-s për ndeshjen Rumani-Kosovë