Google ADS

Në Pejë sot kthehen dy persona që ishin në karantinë në Qendrën e Studentëve

14:09 | 13 Prill 2020
Arbresh.info

Asnjë rast i dyshimtë për koronavirus nuk është paraqitur në 24 orët e fundit në Pejë. Deri tani, në këtë komunë janë konfirmuar gjashtë raste me COVID-19. Për gjendjen e të infektuarve ka dhënë detaje Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Në një prononcim për Gazetën Express, Loci ka thënë se gjendja e pacientes së parë të infektuar nga kjo komunë vazhdon të jetë më e rëndë, derisa pesë pacientët që po trajtohen në shtëpi thotë se janë në gjendje të mirë.

Ai ka treguar se sot do të sjellin në shtëpitë e tyre edhe dy persona të cilët kanë qenë në izolim në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.

“Në 24 orët e fundit nuk kemi përcjellë asnjë mostër për trajtim në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Sot jemi duke shku me i marr dy pacientë në Qendrën e Karantinës në Prishtinë, të cilët kanë rezultuar negativ. Ne duhet me shku me i marr dhe me i pru në shtëpitë e tyre me ambulancë dhe polici. Gjendja e pesë të infektuarve të cilët janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre është e mirë, derisa pacientja zero e cila është duke u trajtuar në Infektivë është në gjendje më të rëndë”, ka thënë Loci për Express.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 79 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara në gjithë vendin shkon në 362.

“Sot më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 250 mostra të marra nga Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS CoV-2 pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste”, ka njoftuar Instituti.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Ferizaj, Prizreni, Hani i Elezit, Vitia, Gjilani, Malisheva, Vushtrria, Skënderaj, Rahoveci, Fushë Kosova, Istogu, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Kamenica.

IKSHP’ja ka bërë me dije se data 08 shkurt deri më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme