Google ADS

Në Opterushë të Rahovecit kujtohen të rënët për liri

15:37 | 30 Mars 2017
Arbresh.info

Në Opterushë të komunës së Rahovecit u shënua 18-vjetori i rënies së dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati, ku u tha se gjatë vitit 1999, është kryer gjenocid mbi popullin shqiptar.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili bëri homazhe tek të rënët e këtij fshati, tha se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, e po ashtu dhe në këtë komunë.

“Është ditë përkujtimi për të gjithë të vrarët dhe të masakruarit e fshatit Opterushë. Marsi e në përgjithësi pranvera e vitit 1999, ka qenë shumë e vështirë për qytetarët e komunës së Rahovecit por dhe për gjithë Kosovën. Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, filluan masakrat e papara në territorin e Kosovës, sidomos në ato pjesë të vendit ku rezistenca e UÇK-së por dhe e popullatës ka qenë më e fortë. E hakmarrja po ashtu ishte shumë brutale, pasi që veç ishte paralajmëruar së nëse bombardohet Serbia, Millosheviqi kishte paralajmëruar se do të bëjë masakra, do të bëjë pastrim etnik. Ajo që ndodhi në vitin 1999, ndodhi para syve të tërë botës, u vranë gra pleq e fëmijë, u dogjën shtëpi, vendbanime të tëra, me një fjalë u krye një gjenocid i popullit shqiptar”, tha ai.

Familjarët e të rënëve nuk mund t’i përmbanin lotët. Me lot në sy tek varri i familjarëve të saj ishte Ganimete Elshani, e cila thotë se kjo është një ditë e rëndë për ta.

“Djali i axhës është ky, axha, gruaja e axhës, me nipa me mbesa me krejt, boll kemi. Kur të vjen kjo ditë më e rëndë s’ka për neve, çka me bë, qika e axhës me burrë e më fëmijë, veç një djalë i ka shpëtuar, kështu ndodhi boll zor, por i gjalli po i bajke krejt”, tha ajo.

Albert Spahiu, i cili i kishte të vrarë 13 anëtarë të familjes së tij, tregon tmerrin që ka përjetuar. Përveç që ia vranë pothuajse tërë familjen, ai thotë se me flet-arrest të Serbisë, akuzohet dhe për krime lufte.

“Kam 13 anëtarë të vrarë. Fëmija më i vogël ka qenë në moshën e 1 vjeçare e tetë muaj, ndërsa më i vjetri ka qenë 79 vjeçar. Dy prindërit i kam të vrarë, gruan, gruan e vëllait me katër fëmije, motrën me burrë, gjithashtu dhe fëmijët e motrës, të gjithë janë vrarë. Ndërsa shoqja ime është kidnapuar, është ekzekutu, pas katër dite, kanë përdor dhunime çnjerëzore, pas katër ditëve është gjetur e ekzekutuar dhe e masakruar e dhunuar, të gjitha metodat që kriminelet serb dinë t’i bëjnë. Edhe sot e kësaj dite, nuk janë lënë rahat, unë jam në gjykim në proces e sipër. Prej Cyrihut me kanë pru këtu….Me akuzojnë kriminel lufte…shtëpia është bosh. Prej secilës pjesë të familjes kemi mbet dikush. Edhe nga motra ka mbet një qun”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme