Pllaka me emra të ministrive të Kosovës janë vendosur në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut, që më herët kishin qenë të vendosura institucione paralele të Serbisë.
Në këtë objekt komunal, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, paraprakisht kishin qenë të vendosura institucione që financohen nga Serbia: Zyra për Kosovën, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.
Ndërkaq, në objektin ku deri pak ditësh ishte vendosur komuna paralele e Mitrovicës, është vendosur tabela që tregon se aty gjendet Departamenti për Patentë Shoferë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Më 30 gusht, përmes një aksioni të kryer nga Policia e Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës u mbyllën objekte të pesë institucioneve paralele serbe.
Nga Qeveria e Kosovës thanë se këto institucione funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë dhe si të tilla cenonin kushtetutshmërinë e vendit.
Aksioni u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare, që e quajti veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Ndërkaq, më herët gjatë këtij viti, autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./rel
Lexo edhe:
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...