Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi e ka mbështetur deputeten e vet, Maja Vukiçeviq, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.
“Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazez në APKE, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në deklaratën e partisë të publikuar më 24 mars.
PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) të shpërbërë prorus dhe proserb dhe përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Millojko Spajiq.
Kjo parti, e udhëhequr nga njëri prej liderëve të ish-FD-së, Millan Knezheviq, avokon për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, daljen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Kur erdhi në pushtet në fund të vitit të kaluar, PDP-ja njoftoi se nuk do t’i ngrinte këto çështje.
Në marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Spajiq, palët ndër të tjera u pajtuan që Qeveria të mos merrte vendime që do të vinin në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe detyrimet ndaj NATO-s.
Kosova u njoh në vitin 2008 nga Qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, e cila në gusht të vitit 2020 humbi zgjedhjet ndaj FD-së proserbe dhe proruse, Demokratëve dhe lëvizjes URA.
Delegacioni i Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përbëhet nga gjashtë anëtarë, nga të cilët katër janë anëtarë të Qeverisë dhe dy anëtarë të opozitës.
Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës e dorëzoi në Asamblenë Parlamentare kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë në prill të vitit 2023 dhe kështu nisën zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës.
Pro kërkesës së Kosovës votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Për këtë reaguan ashpër një pjesë e partive proserbe në pushtet.
Të pakënaqur me faktin se Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetët e FD-së kërkuan një seancë dëgjimore të kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të atëhershme, Dritan Abazoviq.
Interesi i Malit të Zi për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është në mirë të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, kishte thënë Abazoviq gjatë seancës së Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Parlamentit të Malit të Zi në maj 2023.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.
Kjo çështje mund të jetë vendimtare për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të atij institucioni, që do të mbahet në prill.
Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë që Qeveria kosovare pret të ndodhë në maj.
Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës./rel
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...