Se Gjykata Speciale është politike, Grenell kishte të drejtë, por ai tashmë është krejtësisht i pafuqishëm dhe aspak relevant.
Pak ditë më parë Kosovën e vizitoi ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell.
Grenell për një medium kosovar ka treguar se ka kontaktuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale.
Grenell tha se Gjykatën Speciale e konsideron si shumë politike dhe se kjo gjykatë sipas tij, parandaloi arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan arbresh.info.
“Kam folur me ish-presidentin Thaçi. Mendoj se duhet ta lëmë sistemin gjyqësor të bëjë punën e tij. Unë uroj që ata të jenë shumë më të shpejtë. Është e turpshme që u deshën 20 vjet për të arritur në këtë pikë. Mendoj se gjykata është shumë politike, ata e panë që ne po shkonim drejt një marrëveshjeje”, ka thënë Grenell.
Gjithashtu Grenell tha se “BE-ja duhet të bëjë diçka për këtë” dhe theksoi se “politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi”.
Këto deklarata të ish-emisarit të SHBA-ve, po konsiderohen si jo shumë relevante, kjo për faktin se Grenell tashmë nuk ka asnjë kompetencë dhe është veç se një person privat, që nuk përfaqëson SHBA-të.
Analisti politik, Mazllum Baraliu për arbresh.info pajtohet me deklaratën e Grenell-it rreth asaj se Gjykata Speciale është politike.
“Sa i përket asaj që Gjykata Speciale është gjykatë politike, sipas Grenellit edhe ka elemente të tilla. Ajo gjykatë është thjeshtë një surrogat i një kinse organizmi gjyqësor ndërkombëtar, ndonëse të gjitha premisat i ka kinse kombëtaro-kosovare, e në fakt është një surrogat, një trup gjykues i panjohur ndonjëherë, është formuar ekskluzivisht për Kosovë, padrejtësisht dhe pa asnjë bazë ligjore, madje as pa bazë kushtetuese nuk ka pasur”, tha Baraliu.
Megjithatë, Baraliu thotë se nuk mund t’i besohet konstatimit të Grenellit, pasi sipas tij ai është dëshmuar disa herë si një njeri i anshëm në favor të Serbisë.
“Nuk mund t’i besoj saktësisë së konstatimit të Grenellit, e as deklarimeve të tij, për arsye se Grenelli fatkeqësisht është dëshmuar më shumë se një herë, pra në vazhdimësi si një njeri i anshëm në favor të Serbisë”, thotë Baraliu.
Ai konsideron se administrata e Trump-it dhe Grenell si njeriu më i besuar i tij, kanë mundur të parandalojë që ish-presidenti Thaçi nga aeroplani të kthehet për t’u nisur në Hagë.
“Pra nuk është për t’i besuar dhe në qoftë se ka qenë e tillë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administrata e tij dhe ai vetë si kryeeksponenti kryesor, pothuajse njeriu më i besuar i presidentit Trump, kanë mundur që t’a parandalojnë që nga aeroplani të kthehet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe të niset për në Hagë”, tha ai.
Kurse për Bashkimin Evropian dhe rolin e tij në këtë mes, Baraliu mendon se BE ka bërë çka ka dashur vetë dhe nuk dëshiron të bëjë diçka në të mirë të kësaj çështje.
“Bashkimi Evropian ka bërë atë që ka dashtë dhe është fatkeqe dhe diskriminuese, për arsye se asnjëherë në histori të njerëzimit nuk mbahet mend që të formohet një gjykatë për të gjykuar një lëvizje kombëtar, çlirimtare e cila ka mbrojtur tokën e vet, kauzën e vet dhe ekzistencën dhe lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve të vet, pra UÇK”, u shpreh Baraliu.
“Pra Bashkimi Evropian nuk mundet, sepse nuk dëshiron të bëjë diçka në këtë aspekt po shihet edhe qartë qëndrimi i tyre jo korrekt dhe do të thosha edhe jo profesional në kuptimin e sjelljes ndaj të akuzuarve tanimë, atyre të cilëve nuk iu lejohet as të mbrohen në liri” tha ndër të tjera për arbresh.info Mazllum Baraliu.
Ndërsa, analisti tjetër politik, Bekim Kabashi thotë se Grenell tanimë është vetëm një person privat, pavarësisht faktit që është i përfshirë në politiken amerikane, dhe se askush nuk mund të kontestojë se a është politike Gjykata Speciale.
“Grenell siç e tha edhe vet momentalisht është një person privat, pavarësisht faktit se ai është i përfshirë në politikën amerikane si pjesë e kampit republikan te ish-presidentit Donald Trump. Se Gjykata Speciale në vete përmban doza politike, këtë nuk mund ta kontestojë askush. Nuk është Grenell qe e thotë i pari këtë”, thotë Kabashi.
Kabashi thotë se roli i Grenell në këtë kohë është shumë i kufizuar dhe se ai nuk mundi të bëjë asgjë sa ishte i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi.
Kjo pasi që Thaçi u njoftua për aktakuzën e tij nga Gjykata Speciale derisa ishte në avion, rrugës sa ishte duke shkuar në Shtëpinë e Bardhë.
“Megjithatë roli i Grenell në këtë kohë është shumë i kufizuar. Ai madje nuk ka mundur të bëjë asgjë në këtë drejtim edhe në kohën sa ishte i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, pasi që ish-presidenti i Kosovës u njoftua për aktakuzën e tij nga Gjykata Speciale derisa ishte në avion, rrugës për në Shtëpinë e Bardhë, ku pritej te nënshkruhej një marrëveshje në prezencë të presidentit Trump, e ndërmjetësuar dhe e aranzhuar nga vete Grenell”, tha Kabashi.
Ai konsideron se përderisa Grenell nuk mundi të bëjë asgjë përderisa ishte zyrtar i lartë i shtetit më të fuqishëm në botë, tani është krejtësisht i pafuqishëm dhe aspak relevant.
“Pra, në këtë drejtim nuk mundi të bëjë asgjë, në kohën kur ishte zyrtar i lartë i shtetit më të fuqishëm në botë, dhe i besuari kryesor i presidentit të këtij shteti.
Nëse e krahasojmë fuqinë e tij të atëhershme me tani, dhe brenda kësaj, mundësitë qe të bëjë diçka, na del se ai është krejtësisht i pafuqishëm dhe aspak relevant”, tha ndër të tjera Kabashi.
Thaçi dhe të tjerët po mbahen në paraburgim që nga 4 dhe 5 nëntor 2020.
Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.
Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.
Seancat e paraqitjes së parë të Thaçit dhe Krasniqit u mbajtën më 9 nëntor 2020 para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Gjatë këtyre seancave, ata u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me gjitha pikat e aktakuzës.
Seancat e paraqitjes së parë të Veselit dhe Selimit u mbajtën përkatësisht më 10 dhe 11 nëntor. Të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.
Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 29 tetor, gjykatësi i procedurës paraprake në këtë çështje, Nikola Giju, me vendim gojor urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 17 dhjetor 2021 të dorëzojë dosjen e saj paraprake./ArditëShkodra/arbresh.info/
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...
Pacienti vdiq, tre mjekë në Fier hetohen për trajtim jo të d...
Vrasja e Liridona Ademajt: Naim Murselit dhe dy të tjerëve u...
Lushaku-Sadriu prezanton në Podujevë modelin e mësimit tërëd...