Rreth 90 për qind të nevojave të pacientëve për gjak, në institucione publike shëndetësore në Kosovë, sigurohet nga dhuruesit vullnetarë të gjakut.
Këto informacione, i konfirmon drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurie Raca e cila tha se gjatë vitit të kaluar (2019), vetëm nga dhuruesit vullnetarë, janë siguruar rreth 28 mijë doza gjak.
Kurse pjesa tjetër, siç tha ajo, mbulohet nga familjarët, kryesisht për grupet e gjakut që janë më të rralla.
“Mund të them se ka qenë një vit me një sasi që ka arritur të mbulojë kërkesat e gjakut dhe produkteve të gjakut që kanë pasur nevojë. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rrjedhë pozitive të dhurimit të gjakut dhe janë dhuruar 28 mijë doza. Pra, 87 për qind kemi dhurim vullnetar të gjakut, derisa pjesa tjetër ka mbetur të mbulohet nga familjarët”, tha Raca.
Zonja Raca gjithashtu shton se pavarësisht se ku trajtohen pacientët, në institucion publik ose privat, kanë të drejtë të kenë qasje në doza të gjakut. Në bazë të një udhëzimi administrativ, spitalet private janë të obliguara të bëjnë marrëveshje me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe të marrin gjak në rast nevoje për ndonjë pacient.
“Institucionet private posa hapen janë të obliguara me ligj të bëjnë marrëveshje me Transfuzionin e Gjakut dhe asnjë pacientë, në rast nevoje, nuk mund të mbetet pa sasinë e nevojshme të gjakut, pasi është e drejtë e tyre, pavarësisht se ku vendosin të trajtohen”, tha Raca.
Njëra nga klinikat që ka nevojë të vazhdueshme për gjak, është ajo e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës. Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismaili tha se vetëm për një natë kujdestarie, ndodh të kërkohen në transfuzion deri në 20 doza gjak, kryesisht për rastet e lindjeve me prerje cezariane.
“Tek ne në klinikë kërkohen shumë doza gjaku. Asnjëherë asnjë pacient nuk ka pasur problem në këtë klinikë që të sigurohet gjaku i nevojshëm për pacientet. Edhe nëse kërkohet shumë gjak, ai sigurohet. Ne asnjëherë nuk mendojmë në atë aspekt se ndonjë pacient mund të pësojë për mungesë gjaku. Pra, në këtë pikë jemi mirë, por duhet ta cek po ashtu, se klinika jonë është më specifike dhe gjithmonë ka pasur përparësi për sigurimin e dozave të gjakut”, tha Ismaili.
Edhe në Qendrën Emergjente ku fluksi i pacientëve është i madh, drejtori Basri Lenjani ka thënë se që nga viti 1999, nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut janë mbuluar 100 për qind me dozat e nevojshme të gjakut të gjithë pacientët që kanë pasur nevojë. Qytetarët e shohin si shumë humane dhe jetëshpëtuese dhurimin vullnetar të gjakut.
Kastriot Vishaj nga Prishtina, thotë se është dhurues vullnetar i gjakut dhe se ai dhuron disa herë brenda vitit. Si kompensim, ai thotë se ka marrë kartelën nga Transfuzioni i Gjakut, që në rast nevoje për të ose familjarët e tij, ata gjithmonë do të ketë përparësi të marrin, përkatësisht të sigurojnë dozat e gjakut.
“Sa të jem mirë më shëndet, unë do të dhuroj gjak për njerëzit që kanë nevojë dhe ndoshta edhe shpëtoj jetë, por nëse ndonjëherë do të kem nevojë unë të marr gjak, e di se do të kem përparësi, pasi me vite të tëra dhuroj vullnetarisht gjak dhe tashmë e kam edhe kartelën që vetë institucioni ma ka dhënë mua dhe gjithë vullnetarëve, dhurues të gjakut”, tha ai.
Bazuar në të dhënat e Transfuzionit të Gjakut, numri i dhuruesve të gjakut në Kosovë po rritet nga viti në vit. Dhuruesit e gjakut janë të moshave të ndryshme dhe grupeve të ndryshme të gjakut. /Rel
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...