Në Kosovë janë 447 raste me tuberkuloz, prin Prishtina

23:20 | 19 Nëntor 2022
E.H

Numri i rasteve të prekurve me tuberkuloz në Kosovë, muajt e fundit është në rritje.

Sipas specialisteve, për këtë rritje ka ndikuar periudha e pandemisë.

Mirëpo, Ministria e Shëndetësisë thotë se aktualisht në Kosovë janë 447 raste me të prekur, ndërsa Prishtina prin me numrin më të madh.

373 raste me tuberkuloz janë shënuar gjatë këtij viti në Kosovë.

Prishtina aktualisht prin me numrin më të lartë të këtyre rasteve derisa edhe komuna e Lipjanit ka shënuar një numër më të lartë të të infektuarve këtë vit.

31 pacientë të kësaj komune po trajtohen aktualisht. Zyrtarë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Lipjanit thonë se tendencat janë që deri në fund të këtij viti të ketë ngritje të numrit të rasteve.

“Vitin 2020 në kohën e Pandemisë kanë qenë 23 pacientë, në vitin 2021 kanë qenë 34 pacientë ndërsa tani, deri më tani, janë 31 pacientë me turbekuloz”, thotë Izet Sinani, specialist i Mjekësisë Familjare në Lipjan.

“Mirëpo, në muajin shtator kemi pasur një rritje pak më shumë se muajin e njëjtë të vitit të kaluar”.

Ndërkohë, rastet të cilat kanë pasur nevojë hospitalizimi vazhdojnë trajtimin në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK.

“Kam ardhur me një gjendje shumë të rëndë, e tani gjendja dukshëm më është normalizuar, pesha më është kthyer, ushqimi më është kthyer dhe kam filluar gradualisht ta ndiej vetën pak më normal”, thotë një pacient për RTK-në.

Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha, tha se aktualisht janë duke u trajtuar 12 raste.

“Te ne këto 4-5 vitet e fundit dihet se kemi diku 32-33 raste incidence në 100 mijë banorë në nivel të Kosovës, janë mbi 400 raste të reja të zbuluara dhe të diagnostikuar të cilën mjekohen nga turbekulozi”, thotë Musa Hoxha, drejtor i Klinikës së Pulmologjisë.

“Edhe kjo incidencë është mjaftë e lartë kur e krahasojmë me vendet përreth”.

Në anën tjetër, pulmulogia Rukije Mehmeti, thotë se periudha e pandemisë është ajo që ka ndikuar në rritjen e rasteve të reja.

“Kjo rritje të cilën mjekët e konsiderojmë si rritje, është për shkak të situatës në të cilën kemi qenë në kohën e pandemisë”, thotë Rukije Mehmeti, specialiste e Pulmologjisë në QKUK.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, situata e këtij viti është pothuajse e ngjashme me vitin paraprak.

Numri i të prekurve me tuberkuloz është i njëjtë me atë të vitit 2021.

“ Situata me tuberkuloz është pothuajse e njëjtë me situatën e vitit 2021, ku për 12 muajt e këtij viti kanë qenë gjithsej 447 raste”, deklarojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kështu, Prishtina ka numrin me të madh të të prekurve nga kjo sëmundje.

Grupmoshat më të prekura janë mbi 50 vjeç, por ka raste edhe të fëmijëve të prekur.

Sipas specialistëve, simptomat e kësaj sëmundjeje janë: dhembje gjoksi e shoqëruar me kollë që zgjat më se tri javë, djersitje gjatë natës, humbje në peshë, humbje oreksi etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme