Në fund të nëntorit mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

13:46 | 6 Nëntor 2021
L G

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë pritet të mblidhen për herën e shtatë me radhë.

Ky takim sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës pritet të mbahet kah fundi i nëntorit, shkruan arbresh.info.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë arbresh.info se gjatë kësaj mbledhje, të dy qeveritë do analizojnë zbatimin e marrëveshjeve të deritashme.

“Dy qeveritë tashmë janë në komunikimin në lidhje me përgatitjet e nevojshme për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të shtatën me radhë, e cila planifikohet të mbahet në javën e fundit të nëntorit. Në të njëjtën kohë jemi duke analizuar gjendjen e marrëveshjeve të deritanishme dhe nivelin e zbatimit të tyre”, tha Kryeziu.

Sipas tij, këto ditë do të takohen ekspertët e qeverive për të finalizuar agjendën e marrëveshjeve që do bëhen në mbledhjen që po pritet të mbahet në fund të nëntorit.

“Në ditët në vijim do të ketë intensifikim të komunikimit dhe të takimeve në mes të grupeve të ekspertëve nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë për finalizimin e agjendës dhe marrëveshjeve që do të mund të trajtohen në mbledhjen e përbashkët”, u shpreh Kryeziu për arbresh.info.

Ndryshe dy shtetet Kosova e Shqipëria takimin e mbledhjes së fundit e kishin vitin e kaluar në Tiranë. Ajo ishte mbledhja e gjashtë me radhë që nga viti 2014, kur ishte mbajtur takimi i parë.

Që nga ajo kohë, të dy qeveritë mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme deri sa janë nënshkrua mbi 70 marrëveshje në tërësi.

Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.

Sipas një studimi që ka bërë Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP dhe Riinvest, thuhet se ndonëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve, ende shfaqen barriera tregtare.

Problemet kryesore të bizneseve të raportuara me Shqipërinë, sipas këtij studimi kanë të bëjnë me pengesa që lidhen me dokumentacione fitosanitare, çmimet referente, akcizat diskriminuese, pagesat për skanerë dhe mjedisin e vështirë të të bërit biznes.

Karakteristikë, sa i përket barrierave tregtare me Shqipërinë, është se ato zgjidhen për një kohë të caktuar dhe të njëjtat në mënyrë sistematike përsëriten.

Një nga e marrëveshjet e zbatuara mes Kosovës dhe Shqipërisë është funksionimi i Portit të Durrësit.

Në janar të vitit 2019 Dogana e Kosovës pati hapur pikën doganore në Portin e Durrësit.

Kjo pikë doganore është mirëpritur nga bizneset kosovare, duke marrë parasysh se Porti i Durrësit është porti që ofron mundësi për qarkullimin më të shpejtë dhe më të lirë të mallrave për dhe nga Kosova./V.Selimi/arbresh.info/

LEXO EDHE

“Panairet” Kosovë-Shqipëri, mbledhjet e qeverive me shumë marrëveshje të pazbatuara – Arbresh.info

Të ngjashme