Në ditën e Bashkimit Europian për Antitrafikim u lansua fushata kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore
Ministria e Punëve të Brendshme sot lansojë fushatën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Europian për Antitrafikim.
Këtë takim e hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani i cili tha se veprimet, puna e aktivitetet tona nuk guxojnë të kufizohen vetëm në kuadër të kësaj dite apo këtij muaji kundër trafikimit me njerëz. Veprimet tona e puna jonë duhet dhe do të vazhdojnë të jenë të përditshme dhe të intensifikohen edhe më tepër në parandalim dhe luftim të trafikimit me njerëz, hetime dhe dënime meritore për trafikantët si dhe përkrahje të duhur e shërbime cilësore për viktimat e trafikimit.
Ai gjithashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që edhe më tutje t’i përafrojë veprimet e veta me instrumentet ndërkombëtare në veprimet anti-trafikim.
“Me dekada, me shekuj e epoka të tëra, familjet janë ndjerë të sigurta për fëmijët e tyre kur i kanë pasur ata në shtëpi. Jashtë ishin rreziqet e furtunat, brenda ishte çerdhja e ngrohtë dhe e mbrojtur. Kur i kishin fëmijët në shtëpi prindërit qetësoheshin dhe ndjenin siguri për ta. Por sot, sot fatkeqësisht, duhet të thuhet, dhe jo vetëm të thuhet, por edhe të ngritet alarmi se kjo lloj sigurie i takon së kaluarës. Kjo siguri nuk ekziston më. Fëmijët mund t’i kemi brenda, t’i kemi në shtëpi, por mund të mos i kemi të sigurt. Rreziku kibernetik, që vjen nga përdorimi i sotshëm i rrjeteve sociale, lojërave dhe kontakteve online, është i kudondodhur dhe kjo duhet të na e rris vetëdijesimin për cenueshmërinë e fëmijëve tanë – dhe jo vetëm të tyre – për rreziqet online”-tha zëvendësministri Gashani.
Në fund të fjalimit të tij z. Gashani u zotua se shumë energji e shumë aktivitete, jo vetëm gjatë këtij muaji të vetëdijesimit kundër trafikimit të njerëzve, Autoriteti Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz do t’i fokusojë edhe në këtë sfidë të re, të ndjeshme dhe tepër komplekse duke kërkuar angazhim e bashkëpunim, jo vetëm me institucionet që janë pjesë përbërëse e Autoritetit, por edhe të institucioneve tjera e shoqërisë së gjerë.
Në një fjalë rasti Presidentja e Republikës së Kosovës, znj Vjosa Osmani tha se në kohën kur fenomene të tilla janë bërë globale edhe mobilizimi ynë duhet të jetë i përbashkët. Fakti se sot po lansohet fushata dëshmon për gatishmërinë e vendit për t’u përballur me këtë dukuri të rrezikshme. Trafikimi përbënë jo vetëm një shkelje të rëndë por edhe sfidë shqetësuese për vendet tona.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti theksoi se institucionet duhet të jenë të pa kompromis në luftimin e kësaj dukurie në bashkëpunim me të gjithë, duke punuar për të përmirësuar gjendjen, veçanërisht në lidhje me identifikimin pro-aktiv të viktimave, duke siguruar ndihmë e mbështetje, si dhe duke rritur ndjekjen dhe dënimin meritor të autorëve të krimit.
Kryeministri Kurti gjithashtu deklaroi se detyrë e Qeverisë do të mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, sikurse që janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit dhe i vetëdijes.
Ai shtoi se edhe këtë vit, angazhimi i Policisë së Kosovës në identifikimin e grupeve kriminale për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, ka shënuar progres, duke bërë thirrje për më shumë punë e angazhim për qëllimin tonë të përbashkët, parandalimin dhe luftimin e rreptë të trafikimit me qenie njerëzore. /arbresh.info/
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot