Me rastin e 50-vjetorit të themelimit, nën organizimin dhe përkujdesjen e shoqatës “Lëvizja“, në shtëpinë e Bahtir Hajrizit në Prishtinë është zbuluar pllaka përkujtimore për Organizatën çlirimtare Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK).
Me praninë e disa prej themeluesve të saj, veprimtarëve të shtumtë të çështjes kombëtare e qytetarëve të tjerë, për themelimin e organizatës, veprimtarinë dhe rolin e saj clirimtar, folën disa nga ish-drejtuesit e saj.
Udhëheqësi i organizatës GRK-OMLK në vitet 1974-1981, Mehmet Hajrizi, duke folur për kontekstin historik në të cilin u themelua dhe veproi kjo organizatë, gjysmë shekulli më parë, paraqiti sfidat që e përcollën atë gjatë veprimtarisë, rezultatet, rëndësinë historike dhe dëshmorët që dolën nga gjiri i saj.
Hajrizi tha se organizimi profesional me teknika konspirative, disiplina e rreptë dhe metodat e avancuara, shtypi klandesdin, shtrirja në të gjitha territoret e pushtuara shqiptare, kultivimi i vlerave më të mira të traditës së LKSH-së, lidhjet me Shqipërinë, organizimi masiv i mërgatës rreth ideve të lirisë, pjesëmarrja e gruas, kontributi përgatitor dhe organizativ i kryengritjes së vitit 1981, përvoja e shkruar që u shfrytëzua nga brezat vijues dhe përgatitja Kosovës drejt luftës së armatosur çlirimtare, ishin rezultatet kryesore të kësaj organizate.
Ish-drejtuesi i GRK-OMLK-së kujtoi gjithashtu edhe 13 dëshmorët e Kosovës që dolën nga gjiri i kësaj organizate.
“Nga radhët e GRK-OMLK kanë rënë në përpjekjet çlirimtare dhe janë shpallur dëshmorë e heronj, këta veprimtarë: Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Bajram Bahtiri, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia, Xhevë Lladrovci, Isa Kastrati, Abdullah Tahiri, Hafir Shala (i pagjetur) dhe Avdilgafurr Luma. Në këtë përvjetor jubilar përulemi me pietet para gjakut të derdhur për lirinë e Atdheut të tyre e tonin, duke mbajtur në piedestalin e vlerave morale dhe luftarake të popullit tonë, emrin, veprën dhe lavdinë e tyre të përjetshme”, theksoi veprimtari Mehmet Hajrizi, transmeton arbresh.info.
Duke folur për pllakën përkujtimore të vendosur në shtëpinë ku u themelua organizata GRK, Hajrizi tha se ajo është shenja e parë simbolike e përkujtimit të kësaj organizate që ka lënë shumë gjurmë të thella në jetën dhe rezistencën e shqiptarëve kundër regjimit gjakatar pushtues serb e jugosllav.
Në emër të Shoqatës “Lëvizja”, veprimtari i njohur i cështjes kombëtare, njëherësh njëri nga themeluesit e kësaj organizate, Binak Ulaj, shpalosi hollësi nga dita e themelimit të saj dhe njëherësh shkoqiti aspekte të rëndësishme të veprimtarisë atdhetare të kësaj organizate.
Veprimtari Ulaj tha se vendosja e kësaj pllake është në kuadër të aktivitetit të shoqatës për të kujtuar dhe nderuar vatrat e organizimit e të veprimtarisë kombëtare.
“Me këto pllaka shprehet falënderim dhe mirënjohje, jo vetëm ndaj një anëtari të familjes, por ndaj brezave të familjarëve, pjesëtarë të një gjaku, pa angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e të cilëve lëvizja kombëtare nuk do të ishte e suksesshme”, theksoi veprimtari Ulaj.
Njëri nga drejtuesit e organizatës, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, po ashtu vuri në spikamë rrethanat mbi të cilat u organizua dhe veproi organizata. Ai po ashtu portretizoi në mënyrë të vecantë figurën, veprimtarinë dhe rolin e udhëheqësit të organizatës GRK-OMLK, Mehmet Hajrizi, në çëshjen kombëtare.
“Jemi sot këtu për të kujtuar dhe për të përjetësuar qëndresën, përpjekjet, sakrificat dhe kontributet e brezave të njëpasnjëshëm atdhetarë dhe familjes çlirimtare brez pas brezi, familjes së madhe Hajrizi”, theksoi veprimtari Hydajet Hyseni.
Më pas, një grup veprimtarësh bënë edhe zbulimin e pllakës përkujtimore në shënim të themelimit të kësaj organizate.
GRK-OMLK ishte njëra nga organizatat më të mëdha dhe më të organizuara klandestine në Kosovë në vitet ’70-të. Ajo u themelua më 3 mars 1973 në shtëpinë e Bahtir Hajrizit në lagjen Taslixhe të Prishtinës, ndërsa drejtues ishte zgjedhur veprimtari Kadri Osmani. Me rënien në burg të Osmanit, një vit më pas, drejtues ishte zgjedhur Mehmet Hajrizi, duke qëndruar në krye të organizatës deri në burgosjen e tij, më 18 dhjetor 1981, pas demostratave gjithëpopullore.
GRK-OMLK, së bashku me organizata të tjera klandestine, konsiderohen bazament i veprimtarisë së mëvonshme atdhetare e çlirimtare, që kulmoi me organizimin dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...