Në përvjetorin e 25-të të masakrës së kryer në Podujevë nga njësiti serb “Skorpionët”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varrezat e të vrarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.
Sikurse ishin të bashkuara familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, kryeministri tha se njësoj të bashkuar jemi edhe ne sot në kujtim dhe në nderim të rënies së tyre për tokën e Kosovës dhe për lirinë e popullit.
“Ata na e kujtojnë dhe përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë, që e gëzojmë sot, se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe dëshmorëve. Njëkohësisht, zëri ynë do të jetë gjithnjë më i fuqishëm si institucional ashtu edhe qytetar për kërkim të drejtësisë”, theksoi kryeministri.
Në mesin e të mbijetuarve të kësaj masakre, kryeministri përmendi Saranda Bogujevcin, tashmë deputete dhe nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila bashkë me të mbijetuarit e tjerë i bënë ballë breshërive të plumbave dhe të cilët sot janë ndër dëshmitarët e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Duke i dhënë theks nevojës për drejtësi institucionale në Kosovë dhe në rajon, kryeministri Kurti vazhdoi duke i bërë thirrje edhe një herë Prokurorisë në Kosovë të punojnë në ndjekjen e kriminelëve dhe vënien e drejtësisë, e cila do të finalizohej me vënien prapa grilave të vrasësve mizorë të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.
Ngjashëm, u shpreh edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër iu vranë katër fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit.
“Është mbajtur një gjykim sa për sy e faqe dhe kisha me quajt se ata i kanë metodat e veta, injorojnë, nuk gjykojnë, nuk i pranojnë krimet, por si do që të jetë, ne do të qëndrojmë edhe më të fortë”, deklaroi Duriqi.
Bashkë me kryeministrin Kurti, të pranishëm për të kujtuar viktimat e kësaj masakre ishin edhe Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, si dhe zëvendësministra, e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti te familjet Bogujevci dhe Llugaliu:
Familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu ishin bashkë, por njësoj të bashkuar jemi edhe ne sot në kujtim dhe në nderim të rënies së tyre për tokën e Kosovës dhe për lirinë e popullit.
Ata na e kujtojnë dhe përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë, që e gëzojmë sot, se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe dëshmorëve, por njëkohësisht zëri ynë do të jetë gjithnjë më i fuqishëm si institucional ashtu edhe qytetar për kërkim të drejtësisë.
Janë vrarë shtatë gra e shtatë fëmijë. Fëmijët kanë qenë prej 2 vjeç deri 15 vjeç dhe me këtë rast është mbajtur një proces gjyqësor në Serbi, ku janë dënuar disa pjesëtarë të njësitit famëkeq “Skorpion”, që kanë kryer vrasje edhe në masakrën e Srebrenicës në gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ata të dënuar maksimalisht me 20 vjet, pa u penduar, kur i kanë mbajtur dy të tretat e dënimit, janë liruar. Kryesori i tyre, Sasha Cvjetan është arrestuar në dhjetorin e vitit 2022 në Athinë të Greqisë, si kreu i një karteli të drogës atje.
Kjo tregon se si kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar në paqe, janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën, por ne kemi nevojë për drejtësi institucionale në Kosovë, por edhe në rajon, meqenëse numri më i madh i kriminelëve vazhdojnë të jenë eksponent të krimit të organizuar dhe ata siç dihet nuk ndodhën më në Kosovë. Por, ne edhe njëherë i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që këta vrasës mizorë të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të ndodhën prapa grilave, sepse kanë pasur shumë më tepër ekzekutorë dhe urdhërdhënës të kësaj ekspedite kriminale gjenocidale se sa që janë përballur me procesin në drejtësi, ku siç dihet në Serbi nuk ka pasur drejtësi për këto familje.
Duke ju falënderuar organizatave të ndryshme humanitare sikur të asaj të Natasha Kandiqit në Serbi, Serbia është detyruar ta organizojë një proces mirëpo, i cili nuk ka sjellur rehabilitim për viktimat, nuk ka sjellur ndëshkimin e duhur për kriminelët. Në mesin e atyre që u masakruan këtu ishte edhe Saranda Bogujevci e cila ju mbijetoi 16 plumbave, pra para 25 viteve trupi i njomë i Saranda Bogujevcit, atëherë e mitur, përfundoi me 16 plumba dhe ata pesë që shpëtuan nga kjo masakër ishte një mrekulli e vërtetë dhe sot janë dëshmitarë të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti në homazhet te varrezat e familjes Duriqi:
Pra, Enverit ia kanë vrarë bashkëshorten, katër fëmijë, dhe të dy prindërit, dhe tash katër fëmijë i ka sërish që i kanë ripërtërirë emrat e paraardhësve të tyre të së njëjtës familje. Kjo kallxon qysh jeta dhe populli fiton pavarësisht krimeve që i bëjnë armiqtë e vendit tonë të cilët vazhdojnë të jenë të pandëshkuar e të papenduar. Lavdi Albionit, Mimozës, Arbërit, Dafinës, zonjës Fitnete, dhe prindërve të Enverit, Esmës dhe Hamdisë, dhe ne gjithmonë do të iu kemi borxh përkujdesjen tonë.
Edhe njëherë i bëjmë thirrje Prokurorisë që të angazhohet në mënyrë që vrasësit, edhe si ekzekutorë edhe si urdhërdhënës, të ndodhen prapa grilave sa më parë që të gjithë ata. Lavdi e kujtimi i tyre nuk shlyhet asnjëherë, ashtu siç gjaku i tyre nuk humb po ashtu asnjëherë./Arbresh.info
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...
Kuvendi pritet të mbajë tri seanca, njëra për mandatin qever...
Osmani në Forumin Ndërkombëtar në Halifax: Diskutova për she...
SBASHK-u paralajmëron protestë, thotë se nuk përjashton as g...
Banorët e Big Brother VIP Kosova shokohen nga rrëmuja në sht...
Ali Khamenei: Dënoni me vdekje Netanyahun dhe autoritetet iz...