Ndryshon aktakuza në rastin ‘Badovci’

13:24 | 19 Qershor 2017
L G

Për shkak se prokurorja speciale, Drita Hajdari, e ndryshoi gjatë fjalës përfundimtare aktakuzën në rastin e të akuzuarve për terrorizëm, mbrojtja kërkoi shtyrjen e seancës kur ata do ta japin fjalën përfundimtare.

Dhe, Gjykata e pranoi kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve në rastin “Badovci”.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Hajdari e ndryshoi kualifikimin juridik të veprave penale.

Prokurorja tha se këtë e ka bërë konform vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka kthyer rastin në rigjykim.

Për të pasur kohë për përgatitjen e mbrojtjes, avokatët kërkuan shtyrjen e seancës, kërkesë që u aprovua nga trupi gjykues, i cili vendosi që seanca e radhës të mbahet më 18 korrik.

Në këtë rast të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.

Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

Në korrik të vitit të kaluar Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme