Ndryshohet Kodi i Procedurës Penale – zyrtarët me aktakuza do të suspendohen, parashihet gjykimi në mungesë

11:38 | 12 Janar 2021
Arbresh.info

Ministria e Drejtësisë (MD) ka finalizuar ndryshimet të Kodin e Procedurës Penale, punë që e ka nisur nga korriku i vitit të kaluar.

Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë, Selim Selimi në një konferencë për medie.

Sipas tij, Kodi i procedurës Penale si dokument me rëndësi të veçantë që ishte miratuar nga legjislatura e kaluar, por për shkak të shpërndarjes së Kuvendit i njëjti i është kthyer Ministrisë së Drejtësisë.

“Në rrjedhë të kësaj dhe me qëllim të hartimit të Kodit i cili në plan të parë u jep përgjigje të gjitha sfidave të sistemit gjyqësor dhe atij prokuorial, si dhe duke synuar avancimin e legjislacionit të procedurës penale, duke marrë për bazë edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe pas një pune intensive nga muaji korrik i vitit 2020, tashmë Draft- Kodi i ri i Procedurës Penale është finalizuar”.

Selimi ka sqaruar se në ndryshimet e bëra parashihet suspendimi nga puna të zyrtarëve publik, me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Selimi shtoi se nenet e propozuara vlejnë për të gjithë personat zyrtarë të akuzuar për veprat penale të korrupsionit.

“Suspendimi nga puna të zyrtarëve publik, me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Qëllimi i këtij propozimi është që përmes suspendimit të këtyre zyrtarëve të parandalohet keqpërdorimi i mëtejshëm i autoritetit dhe mos t’u lihet mundësia të ndikohet në prova, element ky kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme. Nenet e propozuara vlejnë për të gjithë personat zyrtarë të akuzuar për veprat penale të korrupsionit, duke mundësuar kështu trajtimin dhe qasjen uniforme ndaj tyre pa marrë parasysh funksionin ose detyrat që mund të ushtrojnë”.

Kurse sa i përket hetimit dhe gjykimit në mungesë veprat penale të krimeve të lutës ai tha se janë elieminuar të gjitha gabimet teknike dhe se ky propozim do të jetësohet pas hyrjes në fuqi të këtij Kodi.

“Hetimi dhe gjykimi në mungesë për veprat penale të krimeve të lutës; Një propozim i tillë pos që eliminon një lëshim, i cili në dukje të parë dukej si lëshim teknik, por që si i tillë e ka bërë të pamundur në praktikë aplikimin e hetimit dhe rrjedhimisht edhe të gjykimit në mungesë. Për më tepër, propozimi ka ardhur për shkak se ka shumë raste kur ka pasur vështirësi për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, me ç‘rast të pandehurit i janë shmangur drejtësisë e sidomos për krimet më të rënda siç janë krimet e luftës. Përveç kësaj, mungesa e të pandehurit në gjykim ka shkaktuar edhe shpenzime të mëdha si dhe ka rezultuar pa një vendim final nga ana e gjykatës”.

Selimi potencoi se Kodi do të mundësojë rritjen e efikasitetit të organeve ligj-zbatuese në raport me konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër.

“Draft-kodi rishikon në tërësi dispozitat për konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale, duke i harmonizuar këto dispozita me Ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, me çka vlerësojmë se përmes këtyre ndryshimeve do të rritet efikasiteti i organeve ligj-zbatuese në raport me konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale”.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar gazetarë;

Kodi i procedurës Penale si dokument me rëndësi të veçantë që ishte miratuar nga legjislatura e kaluar, por për shkak të shpërndarjes së Kuvendit i njëjti i është kthyer Ministrisë së Drejtësisë.

Në rrjedhë të kësaj dhe me qellim të hartimit të Kodit i cili në plan të parë u jep përgjigje të gjitha sfidave të sistemit gjyqësor dhe atij prokuorial, si dhe duke synuar avancimin e legjislacionit të procedurës penale, duke marrë për bazë edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe pas një pune intensive nga muaji korrik i vitit 2020, tashmë Draft- Kodi i ri i Procedurës Penale është finalizuar.

Drafti është hartuar dhe finalizuar nga Ministria e Drejtësisë së bashku me partnerët tanë strategjik, Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Kosovës, si dhe me pjesëmarrje aktive të gjyqtarëve, prokurorëve, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, për çka u jam shumë mirënjohës dhe falënderues për punën e bërë, përmes të cilit po përmbyllet një kapitull tejet me rëndësi i reformimit të drejtësisë penale, i filluar që në vitin 2017. Pas hartimit dhe miratimit të Kodit Penal, Ligjit për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, tashmë pjesë e kësaj pakoje do të jetë edhe Kodi i Procedurës Penale.

Objektivat që e kanë shoqëruar punën në procesin e hartimit të Draftit të Kodit të procedurës penale kanë qenë:

1. përkushtimi ynë për luftë më efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe

2. siguria juridike si dhe të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve përgjatë zhvillimit të procedurës penale.

Në aspektin përmbajtjesor, ndryshimet kryesore që vlen të përmenden janë:

1. Suspendimi nga puna të zyrtarëve publik, me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Qëllimi i këtij propozimi është që përmes suspendimit të këtyre zyrtarëve të parandalohet keqpërdorimi i mëtejshëm i autoritetit dhe mos t’u lihet mundësia të ndikohet në prova, element ky kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme. Nenet e propozuara vlejnë për të gjithë personat zyrtarë të akuzuar për veprat penale të korrupsionit, duke mundësuar kështu trajtimin dhe qasjen uniforme ndaj tyre pa marrë parasysh funksionin ose detyrat që mund të ushtrojnë;

2. Hetimi dhe gjykimi në mungesë për veprat penale të krimeve të lutës; Një propozim i tillë pos që eliminon një lëshim, i cili në dukje të parë dukej si lëshim teknik, por që si i tillë e ka bërë të pamundur në praktikë aplikimin e hetimit dhe rrjedhimisht edhe të gjykimit në mungese. Për më tepër, propozimi ka ardhur për shkak se ka shumë raste kur ka pasur vështirësi për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, me ç‘rast të pandehurit i janë shmangur drejtësisë e sidomos për krimet më të rënda siç janë krimet e luftës. Përveç kësaj, mungesa e të pandehurit në gjykim ka shkaktuar edhe shpenzime të mëdha si dhe ka rezultuar pa një vendim final nga ana e gjykatës;

3. Pastaj ka ndryshime thelbësore të dispozitave që rregullojnë dëshmitaret bashkëpunues, duke e bërë këtë proces shumë me efikas për të siguruar bashkëpunimin e personave të cilët kanë kryer vepra penale në bashkëpunim me personat tjerë.

4. Eliminohen shumë procedura të komplikuara të cilat shpeshherë na kanë dërguar deri të zvarritja e procedurës penale (për shembull: eliminimi i shqyrtimit të dytë).

5. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar trajtimit dhe fuqizimit të të drejtave viktimave duke mishëruar kështu parimet e Konventës së Stambollit dhe duke bërë kështu Kosovën vend lider në rajon në respektimin e të drejtave të viktimave.

6. Po ashtu parashihet dispozita përkatësisht seanca e veçantë për matjen e dënimit, me synimin që këto dispozita do te dërgojnë në unifikimin e politikës ndëshkimore dhe shqiptimin e dënimeve meritore ndaj kryerësve të veprave penale.

7. Draft-kodi thjeshtëson dhe shmang konfliktet e identifikuara gjate fazës paraprake dhe procedurës me mjete juridike.

8. Draft-kodi rishikon në tërësi dispozitat për konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale, duke i harmonizuar këto dispozita me Ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, me çka vlerësojmë se përmes këtyre ndryshimeve do të rritet efikasiteti i organeve ligj-zbatuese në raport me konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale.

9. Rrethanat e fundit me pandeminë Covid-19, kanë bërë që grupi i eksperteve të angazhuar në draftimin e kodit të parasheh edhe dispozita, të natyrës përjashtuese të cilat mundësojnë mbajtjen e seancave gjyqësore virtale, në rrethanat si kjo e shkaktuar nga pandemia Covid -19, gjithnjë duke u siguruar që të respektohen të drejtat dhe garancitë procedurale të palëve në procedurë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme