Ndryshimi i kufijve, Fushë-Kosova ia kërkon dy fshatra Graçanicës
Bëhet fjalë për Komunën e Fushë-Kosovës, e cila ka kërkuar nga Komuna e Graçanicës t’ia kthejë në administrim dy fshatra të asaj zone.
Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com, kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha.
I pari i Fushë-Kosovës tha se kohë më parë i ka propozuar komunës me shumicë serbe Graçanicës, që ta shqyrtojë mundësinë që fshati Uglar dhe zona kadastrale e fshatit Preoc t’i jepen komunës që ai udhëheq.
“Fshati Uglar dhe zona kadastrale e Prejacit kanë qenë pjesë e Komunës së Fushë-Kosovës dhe krijimi i Komunës së Graçanicës ka bërë që ato t’i merren komunës. Largësia e tyre prej qendrës së Fushë-Kosovës është shumë e vogël. Qytetarët nuk kanë qenë të kënaqur me largësinë dhe shërbimet që kanë marrë në Komunën e Graçanicës dhe vazhdimisht kanë pasur kërkesa individuale tek unë se do të ishte mirë të vijnë kah komuna jonë që të marrin shërbimet”, tha ai.
Berisha shtoi se Graçanica e ka aprovuar kërkesën, ndërsa iniciativën po e përkrahin edhe banorët e atyre lokacioneve.
“Janë fshatra me shumicë serbe, dhe kanë vendosur t’i kthehen komunës sonë me të gjitha pasuritë, kufijtë dhe banorët që i kanë. Unë ende nuk kam marrë dokument zyrtar, po presim që ta marrim pastaj të vazhdojmë procedurat”, shton ai.
Berisha thekson se për të bërë këtë ndryshim territoresh, janë edhe një varg procedurash në bazë të ligjeve të Kosovës.
“Sipas Ligjit për ndryshimin e kufijve administrativë të Kosovës, ka disa kushte për të bërë ndryshimin e territorit të komunave, të dy kuvendet komunale që dëshirojnë të bëjnë ndërrim territoresh ose bashkëngjitje territori, duhet ta aprovojnë. Komuna e Graçanicës e ka aprovuar, pastaj ajo na e dërgon neve dhe ne do ta hedhim në Kuvend”, tha ai.
Pas këtij procesi, Berisha thotë se fjalën e fundit e ka Kuvendi i Kosovës në rast se a provon plotësim-ndryshimin e ligjit në fjalë.
Ndryshimi i territoreve në komuna është i përcaktuar në Nenin 9 të Ligjit nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave.
Në pikën 9.1 të këtij ligji, thuhet se “Themelimi i komunave të reja, bashkimi, ndarja, ndryshimi i kufijve administrativë të komunës dhe caktimi i emrit apo selisë së komunës bëhet me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji”, ndërsa në pikën 9.2 thuhet se “Ndryshimi i kufijve administrativë të komunës nuk mund të bëhet para konsultimit me qytetarët në komunat ose pjesët e komunave të prekura nga ndryshimi”.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...