Autoritetet në Prishtinë kanë tërhequr vërejtjen për, siç thonë, ‘rritjen e ndikimit rus në rajon’ dhe rrjedhimisht, sipas tyre, ‘edhe në territorin e Kosovës’.
Një paralajmërim të tillë e ka bërë gjatë punimeve të një konference të Komisioneve të Punëve të Jashtme të vendeve evropiane, ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri, duke theksuar se ‘Rusia ka shfaqur hapur ambiciet për të rritur ndikimin në rajon’.
Rritja e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, sipas zyrtarëve në Prishtinë, po bëhet në kohën e, siç thonë, ‘problemeve të brendshme të BE-së dhe paqartësisë së perspektivës evropiane për vendet e rajonit”.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se “aktivitetet destruktive të cilat po ndodhin në rajon kanë prapavijë politike dhe tendenca ruse”.
Sipas tij, “përpjekja për hyrjen në Kosovë e trenit të nisur nga Beogradi” pak javë më parë, ‘ka shenjat e ndikimit rus’.
“Ne kemi të drejtë të besojmë për një involvim më të madh, për një prani të aktiviteteve destruktive në Kosovë dhe rreth Kosovës. Kjo duke pasur parasysh edhe të dhënat e fundit që lidhen me zhvillimet në Malin e Zi, pra me përpjekjet për atentat ndaj kryeministrit pak muaj me parë”.
“Po ashtu edhe këtu në Kosovë – lidhur me raportimet e ndryshme, prezencën e disa medieve me fondacione ruse, po që lidhen pastaj me zhvillime rreth UNESCO-s, aplikacionin e mundshëm të Kosovës e të tjera. Të gjitha këto na bëjnë të besojmë që kemi një prani të shtuar të aktiviteteve dhe ndikimit rus në këtë pjesë të Evropës”, tha Murtezaj.
Prej afro 18 vjetësh, Kosova është vënë nën mbikëqyrjen ushtarake të NATO-s dhe aktualisht një numër prej mbi 5 mijë trupash, përfshirë edhe disa qindra nga SHBA-ja, vazhdojnë të ofrojnë sigurinë për vendin.
Zyrtarët e NATO-s kanë deklaruar se “misioni paqeruajtës në Kosovë vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim”.
Kosova ka hyrë në një marrëdhënie kontraktuale me BE-në përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe autoritetet në vend thonë se ‘janë të përkushtuara në rrugën e integrimeve evropiane’.
Megjithëkëtë, analistët politikë kanë deklaruar se vonesat në proceset integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqesin rrezik nga ndikimet e tjera.
Analisti Artan Muhaxhiri, thotë se Rusia po përpiqet të ketë ndikimin e saj në disa vende të Ballkanit të cilat tradicionalisht kanë qenë të lidhura me Rusinë dhe rrjedhimisht të ketë më shumë ndikim në Evropë.
“Është edhe ndikimi i madh i Rusisë e cila edhe përmes Ballkanit dëshiron që të faktorizohet edhe në Evropë edhe me shumë, prandaj dihet se aleati kryesor i Rusisë është Serbia”, tha Muhaxhiri.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve ushtarake dhe sigurisë Naim Maloku, tha për Radion Evropa e Lirë se ‘deklaratat e politikanëve në Kosovë se Rusia po përpiqet të ndikojë në Ballkan dhe edhe në Kosovë’ po bëhen vetëm për konsum të brendshëm.
“Unë mendoj se Kosova është shumë e vogël për të dhënë vlerësime të tilla. Politikanët këto deklarata po i japin për konsum të brendshëm, për t’u paraqitur përpara qytetarëve të Kosovës se janë ndonjë faktor që mund të japin edhe vlerësime të tilla. Rusia, zgjerimi i ndikimit të saj në Ballkan, këto janë çështje që të tjerët merren me to [NATO -SHBA- RUSIA] këto janë fuqi të mëdha që merren me to”, tha Maloku.
Që prej shpalljes së pavarësisë së saj më 2008, Kosova nuk është njohur nga 5 vende anëtare të BE-së dhe njëkohësisht edhe nga Rusia, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe aleate e ngushtë e Serbisë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndërkaq, të hënën i bëri thirrje Moskës zyrtare “që ta njoh pavarësinë e Kosovës’ duke e cilësuar këtë hap “si lehtësim edhe për vet Serbinë”.
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...