Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar informacione nga kompania Facebook për llogari të qytetarëve të Kosovës, kryesisht në kuadër të hetimeve për vepra penale.
Nga janari i vitit 2013 e deri në muajin maj 2021, Kosova ka kërkuar plot 228 herë ndihmë nga Facebook-u.
Njëzet kërkesa për qasje në informacione të llogarive, janë dërguar vetëm në pjesën e parë të këtij viti, kurse 48 janë dërguar më 2020.
Facebook-u ka raportuar se afër 50 për qind e kërkesave janë refuzuar.
Kompania shpjegon se në shumicën e rasteve, zyrtarët qeveritarë bëjnë kërkesat për të dhëna që lidhen me përdoruesit.
“Në shumë prej këtyre rasteve, këto kërkesa të qeverisë kërkojnë informacione bazë të përdoruesit, siç janë emri, data e regjistrimit dhe kohëzgjatja e shërbimit. Përmes kërkesave të tjera gjithashtu mund të kërkohen IP adresat, kyçjet apo përmbajtja e llogarisë”, thuhet në një sqarim të Facebook-ut.
Gjatë vitit 2020, në total Facebook bënë të ditur se ka pranuar 364,605 kërkesa për qasje në informacione nga institucionet e ndryshme të botës.
Facebook-u rrit bashkëpunimin me shtetet
Arbër Bakija është inxhinier softuerësh dhe njohës i platformave sociale.
Ai thotë se prej vitesh Facebook-u ka krijuar një qasje të re sa i takon bashkëpunimit me shtetet e ndryshme në luftimin e krimit të organizuar, si dhe luftimin e terrorizimit.
“Facebook-u ka me miliarda përdorues dhe nuk mund t’i kontrollojë të gjithë dhe çfarë ndodh është se secili shtet, në një mënyrë apo tjetër, problematikat e veta që mund t’i dijë nëse dikush po prodhon lajme të rreme ose po promovon terrorizëm, apo siç ka qenë më parë ku organizoheshin thirrje për të shkuar në luftë në Siri dhe Irak, në njëfarë mënyre, shtetet janë duke i ndihmuar Facebook-ut që ta rregullojë këtë problem”, thotë Bakija.
Bashkëpunimi me Facebook-un ka ndikuar që të kontrollohet më shumë përmbajtja që qarkullon në Facebook, thotë Bakija.
“Facebook-u me anë të komunikimit me shtetet e ndryshme, në njëfarë mënyre po e largon përgjegjësinë pak prej vetes dhe t’iu ikë këtyre dënimeve, që për shembull një ditë Bashkimi Evropian mund të thotë, në rregull, do t’iu dënojmë sepse ke lejuar që të promovohet terrorizimi”, thotë Bakija.
Njohësja e fushës së sigurisë, Besa Kabashi – Ramaj beson se natyra e informacioneve që ofrohen nga Facebook në të shumtën e rasteve kanë karakter teknik.
“Nëse shohim një profil, i cili ka shpërndarë p.sh gjuhë të urrejtjes, është çështje e sigurisë publike, nëse ky profil është i vërtetë dhe qëndron prapa tij një person real, atëherë me të duhet të merren organet e rendit dhe sistemi i drejtësisë. Në rastet kur prapa profilit nuk është një person real, kjo ka shumë rëndësi të verifikohet se ku është burimi i profilit të rremë dhe cila është agjenda”, thotë Kabashi – Ramaj.
Kabashi – Ramaj thotë tutje se informacionet që mund të ofrojnë rrjetet sociale, janë të rëndësishme për të parandaluar fushata dezinformimi apo për qëllime destabilizimi.
“Është me rëndësi të dihet se prej ku burojnë profilet e rreme, prej kujt janë të financuara e kështu hallkë pas hallke, mund të arrihet deri te burimi i krejt kërcënimit që mund të jetë një akter, një grup, organizatë apo shtet”, thotë Kabashi – Ramaj.
Policia e Kosovës: Kemi bashkëpunim me rrjetet sociale
Policia e Kosovës thotë se ka bashkëpunim me rrjete te ndryshme sociale dhe se përmes këtij bashkëpunimi ka arritur që të marrë informacione të vlefshme për hetimin e veprave të ndryshme penale.
“Përmes këtij bashkëpunimi, pranohen të dhëna të vlefshme që kanë ndihmuar hetimin e rasteve dhe rrjedhimisht edhe arrestimin e personave të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Në të kaluarën në shumë raste, politikanë kosovarë kanë paraqitur në polici raste kur janë kërcënuar përmes rrjeteve sociale.
Një kërcënim i tillë i ishte bërë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti vitin e kaluar.
Në kohën sa ishte kryeministër, ishte kërcënuar edhe Ramush Haradinaj. Për këtë rast, në shtator të vitit 2019 ishte dënuar një person që përmes rrjeteve sociale, kishte kërcënuar Haradinajn, në emër të atij që njihej si grupi militant Shteti Islamik (IS).
Përmes rrjeteve sociale ishte kërcënuar edhe ish-zëvendëskryeministri Bexhet Pacolli.
Misioni për më shumë transparencë
Nga viti 2013, Facebook-u ka nisur të publikojë raporte gjashtëmujore të transparencës.
Sipas një njoftimi të Facebook-ut, qëllimi i publikimit të këtyre raporteve, lidhet direkt me përpjekjet e kësaj kompanie që të jetë e hapur dhe proaktive në ruajtjen e privatësisë, sigurisë dhe qasjes së përdorueseve në internet.
Gjatë vitit 2018 Facebook-u ka fshirë rreth 14 milionë postime, që në një formë apo tjetër, përkrahnin aktivitete, grupime dhe veprimtari terroriste.
Pandemia trazoi internetin
Në kohën kur pandemia e COVID-19 mori hov të pandalshëm gjatë vitit 2020, në mbarë botën u shpeshtuan lajmet e rreme.
Gjatë kësaj kohe, Facebook-u u kritikua për paaftësi në luftimin e përmbajtjes së rrejshme. Që nga shfaqja e pandemisë COVID-19, Facebook-u tha se ka fshirë më shumë se 18 milionë postime të rrejshme, që kishin për qëllim dezinformimin.
Ndërsa në pjesën e parë të vitit 2021, Facebook-u thotë se ka fshirë më shumë se dhjetë milionë publikime të organizuara të gjuhës së urrejtjes./REL/
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...