Ndihma ndërkombëtare për dokumentimin dhe përpilimin e padisë ndaj Serbisë

09:05 | 12 Qershor 2021
L G

Ndihma ndërkombëtare ndaj institucioneve të Kosovës për dokumentimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia po shihet si e nevojshme, për faktin se të gjitha ato që mund të ofrohen do të shfrytëzohen qoftë për hetim, ndjekje dhe gjykim të krimeve të luftës.

Gjatë viteve të 90 ka pasur mekanizma të jashtëm të cilët kanë monitoruar për së afërmi të gjitha krimet e bërë në kohë reale, madje të gjitha ato janë të filmuara dhe të transmetuara në mbar botën.

Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovarë për Drejtësi, për arbresh.info tha se të gjitha dokumentacionet, faktet dhe raportimet e mbledhura asnjëherë nuk janë analizuar në mënyrë të hollësishme, ku sipas tij do duhej të kishin një efekt në dokumentimin dhe gjykim të krimeve të luftës.

“Përderisa, në Kosovë gjatë viteve 90 por edhe pas luftës ka pasur mekanizma si Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut që kanë identifikuar dhe ekspozuar krimet dhe dëmet që janë kryer nga aparati shtetëror i dhunës ndaj popullatës civile shqiptare. Përderisa, gjithë dokumentacioni, faktet dhe raportimet e mbledhura asnjëherë nuk janë analizuar dhe përmbledhur përmes një qasje sistematike dhe të organizuar nga institucionet shtetërore. Në këtë drejtim, një qasje institucionale e mirë planifikuar dhe organizuar do kishte efekt në dokumentimin e krimeve dhe dëmeve të luftës në Kosovë, që mund të shfrytëzohen qoftë për hetim, ndjekje dhe gjykim të krimeve të luftës, sigurisht duke iu përshtatur ligjeve dhe procedurave ligjore në Kosovë’, tha Miftaraj.

Përkrahja dhe mbështetja e aleatëve perëndimor në lidhje me këtë çështje ndihmon edhe në çështjen e Padisë ndaj Serbisë sipas Miftaraj.

“Po ashtu të njëjtat mund të shfrytëzohen edhe për të ndërtuar një memorie institucionale dhe informim në aspektin ndërkombëtar se çka ka ndodhur në Kosovë ne luftën e fundit, pa përjashtuar edhe çështje tjera që lidhen me Padinë kundër Serbisë nëse do të kishte përkrahjen dhe mbështetjen e aleatëve perëndimor”, deklaroi Miftaraj për arbresh.info.

Tutje Bajram Çerkini nga, shoqata “Zëri i Prindërve”, për arbresh.info tha se, pa ndihmën e ndërkombëtarëve institucionet e Kosovës nuk kanë fuçi as të dërgojnë në gjykatë personat përgjegjës për krimet e kryera, madje ai thotë se ekzistojnë fakte të cilat i posedon vetë NATO.

“Nuk kanë asnjë fuqi në coftë se nuk e lypin ndihmën e ndërkombëtareve, nuk jem na ata as që mundemi me i nxjerr as që i gjykojmë, na mundemi me i shkru në akull. Krimet e luftës ne mundemi me i shkru, e ndihmën e ndërkombëtareve mundemi edhe me realizu. Në coftë se kërkohen fakte dhe duhet të jenë faktet e krimeve, askush nuk i ka të shkruara, ata që na kanë përcjell prej qiellit, kanë fotografi apo skica pasi kanë përcjell çdo gjë që ka ndodhur në Republikën e Kosovës, e të gjitha ato janë në zyrën e NATO-së. Një milion përqind jam i informuar që ata i kanë të sistemuara çdo gjë që ata kanë bërë në Kosovë. Krimet e luftës shënohen tek ne dhe kur kërkohet argument duhet të lypen argumentet e sakta e jo të rrejshme. Argumentet e sakta janë ato të cilat i japin shtetet e Kuintit dhe të NATO-së, ne çka i kemi përjetu ose çfarë dokumenti unë kam parë në coftë se nuk janë të ushtrisë apo të policisë origjinale nuk vlejnë”, tha Cerkini për arbresh.info.

Çerkini po ashtu tha se kishte marr pjesë kur ishte formuar instituti për krime lufte, ku mungesat ishin të shumta për të shkuar më tutje. Tutje ai tregon edhe vizitën që i është bërë nga një ndërkombëtar ku i kanë kërkuar kopjet satelitore të cilat ai pohon se i posedon.

“Kur është formu instituti unë kam qenë dhe kamë parë çfarë hulumtime dhe çka po shikojnë me ba, i vendosen do libra atu, kurrgjë hiq, se nuk kishin mjete dhe nuk kishin fuqi me shku ma tutje. Unë mund të them se kur ka ardh një ndërkombëtar, një komandant i Novosellës mi ka dërgu dy persona, e ku njëri ka qenë hulumtues spanjoll ndërsa tjetri i Belgjikës dhe më kanë kerku se a kam dokument ose a e ke një kopje satelitore të cilat ti po mendon që ka. U thash që unë e kam një dokument e kam një fotokopje kur në Rudniic është vërtetu pas pesë viteve që s’ka të varrosur hiq. E më pas e kanë lyp edhe Kryqi i Kuq prej amerikanëve dhe kanë thënë se ja ku janë trupat edhe nën themelet e shtëpisë afariste, është parë në fotografi se ka trupa, e ku është vërtetu edhe në Kizhevak, d.m.th i kanë por duhet të kem fuqi ti kërkojmë ato argumente të sakta, do të thotë instituti në coftë se formohet duhet të ketë punë shumë shumë me njerëz të cilët i dinë e sidomos ndërkombëtarët dhe pa ata ne nuk mund të bëjë asgjë”, deklaroi Cerkini për arbresh.info.

Mendim të kundërt sa i përket ndihmës ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë, ka avokati Tomë Gashi.

Gashi për arbresh.info tha se nuk është e nevojshme me kërku kurrfarë ndihme ndërkombëtare pasi që këto krime janë evidente, por mund të kërkohen të sillen ekspert për të ndihmuar në përpilimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.

“Nuk është e nevojshme me kërku kurrfarë ndihme ndërkombëtare për krimet e Serbisë ato janë të dokumentuara dhe nuk ka nevojë për sqarime të veçanta se Serbia ka kry krime dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare në Kosovë këtë e dëshmon edhe vetë intervenimi i NATO-së, kur të gjitha 50 shtetet e NATO-së, janë pajtuar që ta bombardojnë Serbinë dhe po ashtu janë gjykimet duke fillu prej Presidentit të tyre Millosheviq prej gjeneralëve të Serbisë dhe të Jugosllavisë të cilët janë shpallur fajtor në tribunalin e Hagës për ish- Jugosllavinë. Të gjitha këto janë të faktume, ndihmë ndërkombëtare nuk duhet të kërkohet por mund të kërkohet ose të emërohen ekspert të veçantë për të ndihmuar në përpilimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë e cila duhet të jetë serioze e faktuar dhe të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë atu ku për 22 vjet askush deri më tani e dërgoi ata të cilët udhëhiqen me Kosovën deri me 14 shkurt të këtij viti ku i humben përfundimisht zgjedhjet”, deklaroi Gashi.

Gashi tutje tha se edhe pse kanë kaluar 22 vite këto krime janë të dokumentuara.

“Krimet e Serbisë janë të dokumentuara dhe gjithë bota i dinë, edhe pse kanë kaluar 22 vite prapë se prapë memoria e historisë nuk është humbur krejtësisht dhe fare lehtë mund të dokumentohen krimet e Serbisë, askush nuk ka dyshim që Serbia ka kry krime të tmerrshme në Kosovë që nuk janë parë pas luftës së dytë botërore dhe këto fare lehtë mund të dokumentohen”, tha Gashi për arbresh.info.

Ndryshe Qeveria e Kosovës, pati ditë më parë takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës. Në kuadër të këtij Instituti do trajtohet edhe gjenocidi ndaj njerëzve, e krimet tjera të luftës, për të cilat s’ka ende të dhëna të sakta. I njëjti organizëm në vete ka ekspert e pjesëtarë të shoqërisë civile.

Sipas ekzekutivit do të bëhet edhe me ligj dhe me linjë buxhetore. Ku në fund, do të dokumentohen dhe tu jepet epilog krimeve, duke u ndëshkuar krimbërësit./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme