Projekti për ndërtimin e xhamisë në lagjen “Dardania”, në Prishtinë është zvarritur ndër vite. Ndërkaq, kohët e fundit janë shtuar polemikat në debatet publike, çka ka ndikuar edhe në shtimin e kundërthënieve.
Rreth këtij projekti pritet të diskutohet brenda kësaj jave në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri tha për REL se për ndërtimin e kësaj xhamie kërkohet që të ketë konsensus politik dhe shoqëror.
“Janë bërë shumë diskutime kohëve të fundit lidhur me këtë temë. Çështja është qysh nga viti 2012, para se ‘Vetëvendosje’, të jetë në pushtet në Prishtinë, kur ishte vendosur lokacioni se ku duhet të ndërtohet xhamia. Mirëpo, diskutimi më i madh tash është rreth projektit, nëse është në përputhje me planin rregullues apo jo dhe si do të shkohet tutje. Nuk është çështja se a do të ndërtohet apo jo xhamia, por çfarë projekti do të jetë ajo xhami”, tha Tahiri.
Për të diskutuar projektin e xhamisë në Prishtinë, Tahiri tha se kanë ftuar Bashkësinë Islame të Kosovës, që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal, që pritet të mbahet gjatë kësaj jave, të prezantojë projektin para asamblistëve komunalë, që janë përfaqësues të qytetarëve të Prishtinës.
“Më pas do të shohim si do të veprojmë dhe në rast se duhet ta shkelim planin rregullues që ta aprovojmë atë projekt dhe të japin leje për atë projekt, një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Kuvendi Komunal, që është institucioni me i lartë politik në nivelin lokal”.
“Mbetet të shihet se si do të veprohet në Kuvendin Komunal dhe si do të vazhdohet tutje, do të jetë ai projekt apo do të ketë konkurs të ri me projekt të ri. Krejt kjo pritet të kuptohet në javët apo në ditët në vazhdim”, thekson Tahiri.
Ndërkohë, një grup qytetarësh përmes rrjeteve sociale kanë kundërshtuar ndërtimin e xhamisë me projektin aktual. Sipas tyre, ky projekt është në kundërshtim me planin urbanistik të lagjes “Dardania”, ku është menduar ndërtimi i kësaj xhamie.
Ata, përmes një peticioni në rrjetet sociale, kanë kërkuar nga qytetarët t’i mbështesin.
“Ky peticion është për arkitekturë e jo për fe”, thuhet në peticion, i cili është shpërndarë në rrjete sociale.
Ky grup i qytetarëve po ashtu i ka kërkuar Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës të mos lejojnë ndërtimin e xhamisë në lagjen ‘Dardania’, në formën që është aktualisht e propozuar.
Ndërkohë, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, i quajnë të pakuptimta diskutimet që janë duke u bërë rreth ndërtimit të kësaj xhamie.
Ahmet Sadiku, zëdhënës në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIKka thënë se që nga viti 2012 kanë vendimin e Kuvendit Komunal për ndarjen e parcelës dhe lokacionin për ndërtimin e xhamisë.
Ai tregon se, sipas këtij vendimi, destinacioni i caktuar do të inkorporohet në planin rregullues urban dhe do të harmonizohet me planin zhvillimor të Komunës së Prishtinës.
“Është dokument valid që këta (Komuna e Prishtinës) e ka lëshuar. Pastaj, me kërkesë të tyre ne kemi dërguar atë se çka parashihet në projekt dhe kjo është bërë në shtator të vitit 2012. Komuna në atë kohë ka pranuar një propozim të tillë deri tani kur e kemi dorëzuar projektin në maj të vitit 2016”.
“Afati i zgjidhjes së këtij propozimi ka qenë deri më 10 qershor të vitit të kaluar, por Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur deri në shtator të vitit 2016, ku pastaj kanë formuar një komision që të merret me këtë çështje”, thekson Sadiku.
Ai shton se ka pasur zvarritje të paarsyeshme nga ana e Komunës së Prishtinës për këtë projekt.
Megjithatë, BIK pret që asamblistët do të mbështesin projektin dhe do të lëshohet leja nga organet kompetente dhe të fillohet ndërtimi i xhamisë.
“Është e panevojshme të bëhet problematike kjo çështje. Ne nuk duam të bëjmë skandal, ne kemi presione të mëdha nga besimtarët që janë bërë pesë vite nga ndarja e lokacionit për ndërtimin. Ky projekt është dashur të jetë në përfundim dhe jo të zgjatet e stërzgjatet, apo qysh ka tendenca tani që në prag të zgjedhjeve lokale të politizohet kjo çështje”, thotë Sadiku.
Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012.
Atë kohë, gurëthemelin e patën vendosur përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të vendit.
Projekti, i cili ka vlerën e rreth 20 milionë euro me një sipërfaqe prej 51 mijë metra katrorë, do të ketë parking, salla konferencash, zyre, bibliotekë, derisa bizneset që ishin paraparë të ketë ky projekt, janë larguar nga projekti ka bërë të ditur Bashkësia Islame e Kosovës.
Man United ia cakton çmimin Rashfordit, i përballueshëm poth...
Erdogan paralajmëron kurdët/ Presidenti turk: Lini armët, os...
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, sot prezanton raportin ...
Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora
Përurohet sot renovimi në hemodializën të Spitalit në Prizre...
Parashikimi i motit për sot