Ndërtimi i gaz-përçuesit| Pasojat gjeopolite dhe rëndësia e shfrytëzimit të burimeve të ripërtritshme

08:21 | 9 Tetor 2021
A Z

Ditë më parë Kosova e ka ndërprerë projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC), shkruan arbresh.info.

Ky projekt ishte futur nga Administrata e Presidentit Biden më 2021, në buxhetin e agjensionit federal MCC, nga ku Kosova përfitonte 200 milion dollarë të pakthyeshme për të ndërtuar gaz-përçuesin në drejtim të Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, ku pastaj do të lidhej më rrjetin TAP (Trans-Adriatic Pipeline) apo me burime tjera.

Ekspertët e tregut të energjisë elektrike vlerësojnë se gazi mbetët burimi i mundshëm si shkak i rritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike. Për të bërë planin për ndërtimin e gaz-përçuesit në Kosovë MCC shpenzoi rreth shtatë milionë dollarë.

Trim Tërnava, ekspert i tregut të energjisë elektrike, për arbresh.info tha se , institucionet vendore duhet të kenë parasysh trendin global të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, dhe se gjenerimi nga Termocentralet Kosova A dhe Kosova B është jo-realistik.

“Bazuar në deklaratat e fundit të Ministres, ende nuk është dhënë një përgjigje e prerë rreth pranimit apo jo të një projekti të tillë. Gjithsesi, institucionet vendore duhet të marrin parasysh trendin global të rritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike që ka reflektuar edhe në çmimet rekord në HUPX. Çdo vendim i cili merr si bazë krahasimore çmimin aktual të gjenerimit nga Termocentralet Kosova A dhe Kosova B është jo-realistik për shkak të tejkalimit të jetëgjatësisë nga këto burime gjeneruese. Është mese e qartë që ngarkesa bazë duhet të vjen nga burimet konvencionale e ku për shkak të taksës së karbonit, i vetmi burim i mundshëm po mbetet gazi”, tha Tërnava.

Arsyet e ndërprerjes së këtij projekti i ka dhënë vetë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës.

“Së pari kosto totale prej 379 milionë dollarë e cila është paraparë nga investim i Kosovës, grant nga MCC-ja 100 milionë dollarë, ndërsa 279 milionë dollarë apo 75 për qind në pronësi të një investitori të huaj. Kjo kosto, kontigjencën e ka pasur 20 për qind që do të thotë ka mundur të shkojë deri në 455 milionë dollarë”, ka sqaruar Rizvanolli.

Po ashtu Tërnava tha se burimet e ripërtritshme mbesin pa dyshim shpresë e vetme.

“Trendët botërore tregojnë që energjia nga burimet e ripërtritshme (energjia diellore dhe e erës) është bindshëm më e lira por që duhet kombinuar me burime konvencionale dhe energy storage”, tha Tërnava.

Reagimet opozitare kritikuan njëzëri çështjen e refuzimit të këtij projekti 200 milion dollarësh.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, për arbresh.info tha se vetë deklarta e njëriut të dytë të Qeverisë Kurti, në lidhje me gazsjellësin tregojnë një shqetësim të madh në këtë drejtim.

Deliu tutje tha se investimi i 200 milionë dollarëve, ka qenë grand i pakthyeshëm për Kosovën në sektorin e energjisë.

“Unë vetë e kam ngrit edhe në komision këtë çështje kur e patëm zëvendës Kryeministrin ku tha se gazi vjen prej Azerbajxhanit dhe Rusisë, dhe nuk ka të bëjë asgjë me SHBA-të, e kjo deklaratë vie nga njeriu i dytë i Qeverisë. Hamendjet që në vazhdimësi i ka pasur Qeveria për me i aprovu këto plane investive të MCC, në rrjetin e ofruesit të gazit, se dhe ato tjerat që kanë qenë për termocentral me gazin natyror, vetë fakti që qeveria një kohë të gjatë është hamendur për ne ka qenë e pa pranueshme, e sidomos tash kur ekonomia e Kosovës, dhe jo vetëm në këto ditë gjatë kohës së pandemisë, por ne vazhdimisht po përballemi me pasojat, të cilat i ka pasur pandemia e natyrisht jemi duke vuajtur edhe për një plan të rimëkëmbjes ekonomike. Ky investim i 200 milionë dollarëve që ka qenë si grand i pakthyeshëm për Kosovën e sidomos në sektorin e energjisë, jo vetëm që i është dashtë Kosovës por ne si Parti Demokratike kemi konsideru që e përfaqëson interesin më të madh shtetëror të vendit tonë”, tha Deliu-Kodra.

Delu-Kodra tha se vonesa e këtij projekti e vendos Kosovën në raporte jo të mira me aleatin e saj kryesorë.

“Disa herë i kemi ba thirrje qeverisë që mos me vonu nënshkrimin për projektin e MCC, prej 200 milionë eurosh të dedikuara për gaz përçues dhe termocentralin me gaz. Kosova përveç të tjerash përballet me ambient të rëndum sidomos në kohën e dimrit, ku shkalla e ndotjes ambientale sa e vështirë dhe sa e rëndë është plus refuzimi që i është bërë projektit amerikan, e zhvendos Kosovën në raport me aleatin e saj kryesor dhe natyrisht janë supozime për hamendje të cilat i ka kjo qeveri se kah do ta orientojë investimin e saj”, tha Deliu-Kodra.

Refuzimi i këtij projekti Deliu-Kodra tha se lë Kosovën jashtë deversifikimit bioenergjetik.

“Absolutisht unë mendoj që është interes gjeostrategjik, ekonomik, e gjeopolitik i vendit  marrëveshja e cila do duhej të përfundoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket gazit. Këto vonesa e kanë rreziku mbarëvajtjen e këtij projekti. Ky dështim në fund cenon këto raporte tonat por edhe e lënë Kosovën jashtë mundësisë së diversifikimit bioenergjetike e natyrisht kjo shkon në favor të Serbisë dhe forcon pozicionin rus në rajon. Çështja e gazit është gjeopolitik ma madhor se sa raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nëse s’jemi për bashkëpunim me SHBA-në, atëherë kush është oponenti tjetër i cili po e bënë betejën në rajon, natyrisht që është Rusia”, deklaroi Deliu-Kodra.

Kujtojmë që Qeveria Amerikane tashmë kanë shpenzuar afër shtatë milionë dollarë për shpenzimet e studimeve të fizibilitetit për gaz-përçuesin. Ndërsa sipas një njoftimi dërguar Kongresit më 2019, MCC ka kërkuar 6.9 milionë dollarë për shpenzimet e studimeve dhe përpilimit të projekteve në Kosovë ku dy projektet kryesore ishin ndërtimi i infrastrukturës së gazit për Republikën e Kosovës./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme