Ndërmarrjet publike në Kosovë nga viti në vit po punojnë me humbje

09:07 | 23 Maj 2018
Arbresh.info

Ndërmarrjet publike në Kosovë nga vitin në vit punojnë me humbje. Në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik thonë se qeveria e vendit duhet të ndërmarrë masa për ta ndryshuar këtë gjendje, ndërsa njohësit e çështjeve ekonomike thonë se zgjidhja më e mirë është privatizimi i tyre.

Gjatë vitit 2016 ndërmarrjet publike kanë operuar me një humbje prej 29 milionë euro. Këto janë gjetjet e bazuara në raportet vjetore të auditorëve të jashtëm, ndërsa të dhënat për vitin 2017 priten të publikohen në fund të këtij muaji. Anëtari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Enver Hoti, deputet i NISMA-s, thotë se Qeveria e Kosovës, si e vetmja aksionare në ndërmarrjet publike, duhet të ndërmarrë masa dhe ta stopojë këtë gjendje.

“ Qeveria duhet të ndërmarrë masa, duhet të bëjë një vlerësim dhe analizë të shpejtë. Unë do të doja të bëhet një auditim krejtësisht i pavarur nga ndonjë kompani e huaj e cila është profesionalisht e përgatitur, e cila do të hapte perspektivë të re në aspektin e përgjegjësive dhe llogaridhënies. Të paraqitet një plan emergjent i punës për ndërhyrje në këto ndërmarrje, sepse jam i bindur që ndërmarrjet janë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën ka thënë se duke pasur parasysh situatën e rëndë në të cilën gjinden shumica e ndërmarrjeve publike, janë rekomanduar masa për rritjen e të hyrave dhe reduktimin e shpenzimeve, kritere që duhet të pasqyrohen edhe në planet e biznesit te kompanive.

E njohësi i ekonomisë, Fadil Osmani, ka folur rreth metodës së mirëfunksionimit të këtyre ndërmarrjeve .

“ Unë mendoj se forma më e mirë e funksionimit të këtyre ndërmarrjeve është privatizimi. Privatizimi ka efektin pozitiv në menaxhimin dhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike në treg si për klasën punëtore ashtu edhe për të hyrat financiare që mund t’i krijojnë këto ndërmarrje publike”, tha ai.

Osmani konsideron se procesi i privatizimit është i hapur kudo në botë, prandaj edhe Kosova duhet t’i përkrahë këto procese. Të dhënat e raportit të auditimit të jashtëm thonë se faktorët që ndikojnë në humbje të ndërmarrjeve publike janë: shkalla e lartë e amortizimit dhe zhvlerësimit pasi që ndërmarrjet publike kanë trashëguar një infrastrukturë të vjetërsuar, shkalla e lartë e borxheve që konsumatorët kanë ndaj ndërmarrjeve publike, humbjet teknike, numri i lartë i të punësuarve, pagat e larta etj./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme