Google ADS

Ndarja e Vetëvendosjes, e pashmangshme

07:27 | 4 Janar 2018
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur pa kryetar. Kjo pasi që kryetari i deritashëm, Visar Ymeri dha dy ditë më parë dorëheqjet nga të gjitha pozitat e tij në parti.

Ai këtë e bëri të ditur në një konferencë për media, ku tha se po e bën këtë si akt zhgënjimi.

“Unë po jap dorëheqje, si akt zhgënjimi që nuk kam arritur që t’i ndalë linçimet dhe përbuzjet që kanë ndodhur kohëve të fundit brenda organizatës. Ka pasur një shpërfillje ndaj pozitës time dhe organeve tjera të lëvizjes. Shpresoj që dorëheqja ime të kuptohet si alarm, veçanërisht për ata që kanë qenë pjesë e linçimit”, pati theksuar Ymeri.

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje  është duke u përgatitur për procesin zgjedhor brenda partisë dhe, deri më tash vetëm Albin Kurti ka konfirmuar kandidaturën për të marrë postin e të parit të Lëvizjes.

Ndërsa në Lëvizjen Vetëvendosje thuhet se janë bërë ndasi në dy grupe. Këto ndasi brenda VV-së u bënë të ditura pasi rrodhi në media një komunikim i brendshëm i deputetëve të kësaj partie, në të cilin Aida Dërguti kishte fyer Kurtin në ditën e arrestimit të tij.

Ndonëse asgjë nuk ka zyrtare lidhur me ndarjen e VV-së, sipas raportimeve të mediave njëri grup thuhet të jetë ai i Albin Kurtit kurse tjetri po quhet Klani i Dardan Molliqajt ku sipas raportimeve thuhet t’i jenë bashkangjitur disa deputetë që po e kundërshtojnë kthimin e Kurtit në krye të partisë, e në këtë krah raportohet të jetë edhe Visar Ymeri.

Analisti politik, Imer Mushkolaj në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se ndarja e Vetëvendosjes është evidente.

“Ndarja ne VV tashmë është evidente. Kjo solli edhe dorëheqjen e Ymerit. Tash kryetar do të zgjedhet Albin Kurti dhe kundërshtarët e tij ose do të rezistojnë brenda partisë, ose do ta braktisin atë. Është pak e besueshme që përçarjet brenda VV-së mund të sanohen”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Bajrush Morina njohës i çështjeve politike ka komentuar dorëheqjen e Ymerit duke thënë se ai nuk ka qenë një lider i VV-së.

“Visar Ymeri ka dhënë dorëheqje nga “karrika” e të parit në Vetëvendosje, sepse Visar Ymeri realisht nuk ka qenë lider i Vetëvendosjes. Ai ka kryesuar mbledhjet e Vetëvendosjes por jo edhe partinë Vetëvendosje. Kur them kam parasysh shumë fakte. Në dy palë zgjedhje nacionale dhe në sondazhet e mbajtura herë pas herë në Kosovë, Visar Ymeri ka dalë larg të parit në Vetëvendosje me numër të votave dhe gati në fund të ranglistës së liderëve të vendit”, ka thënë Morina.

Sipas tij Vetëvendosje është e ndarë në dy pjesë dhe se këto pjesë nuk do të jenë të barabarta.

“ Vetëvendosje është e ndarë tashmë. Janë “dy zemra” të ndara të kësaj partie politike. Por unë mendoj se këto dy “copa” të Vetëvendosjes vështirë se do të jenë të barabarta. Mentaliteti politik i anëtarësisë së partive politike në Kosovë është i lidhur ngushtë me liderin. Kështu ka ndodhë edhe me disa parti të tjera. Kush e mban në mend sot LDD-në e Nexhat Dacit? Prandaj Vetëvendosja ka qenë, është dhe do të jetë e Albin Kurtit”, theksoi ai.

Portali Arbresh.info ka provuar të kontaktoj gjatë gjithë ditës së djeshme disa prej deputetëve më me zë të Vetëvendosjes për të marrë një përgjigje lidhur me raportimet e fundit në media për ndarjen e VV-së dhe për ndonjë kandidaturë tjetër përveç asaj të Kurtit, por, asnjë nga ata nuk e kanë hapur telefonin./V.Berisha/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme