Ristrukturimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që është në proces e sipër, pjesë e së cilës pritet të jetë edhe partia Alternativa, ka nxitur debate, por edhe gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale lidhur me ndarjen e ministrive mes partive politike që do të jenë pjesë e qeverisë.
Përveç partisë Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, në Qeveri bën pjesë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që drejtohet nga Ali Ahmeti.
Këto dy parti shqiptare, në Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryetari i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Dimitar Kovacevski, do të kenë nëntë ministri nga 16 sa numëron gjithsej Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
BDI-ja dhe Alternativa do të drejtojnë Ministrinë e Punëve të Jashtme (BDI), Financat (BDI), Ekonominë (BDI), Shëndetësinë (Alternativa), Bujqësinë (BDI), Ekologjinë (BDI), Informatikën dhe Administratën (Alternativa), Sistemin Politik (BDI) dhe Ministrinë pa resor përgjegjës për diasporën (Alternativa).
BDI-ja do të ketë edhe zëvendëskryeministrin e parë. Dy partitë do të kenë edhe tetë zëvendësministra. Alternativa do të udhëheqë rreth 50 drejtori dhe do të ketë anëtarë në borde të ndërmarrjeve të ndryshme. Ministritë tjera do të drejtohen nga LSDM-ja dhe partitë e vogla maqedonase që janë në koalicion me socialdemokratët.
I pari që ka reaguar lidhur me ndarjen e ministrive, ka qenë kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, duke ironizuar në Facebook, me partitë tjera maqedonase, që, sipas tij, edhe pse me numër të njëjtë të deputetëve, sikur Alternativa, “udhëheqin një ministri të dobët”.
“PLD (Partia Liberal-Demokrate) dhe RDM (Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë) kanë katër deputetë dhe vetëm një ministri (të parëndësishme). Alternativa ka 4 deputetë dhe do të ketë 3 ministri (të rëndësishme)!? Vetëm unë nuk e kuptoj maoizmin e liberalëve dhe të gjelbërve?”, ka shkruar Apasiev.
Marrëveshja për ndarjen e ministrive, në rrjetin social, Facebook, është vlerësuar si “tradhti kombëtare”, që sipas Liljana Aposit nga Shkupi, është pasojë e mosunitetit të maqedonasve.
“Mosuniteti i maqedonasve u ka dhënë atyre forcë dhe fuqi dhe nëse kështu vazhdon, do të mbetem edhe pa atdhe… kështu është kur i lejohet kësaj qeverie të ndryshojë Kushtetutën dhe të miratojë ligje për nevoja ditore… opozita bën kuorumin. Vetëm vazhdoni…Maqedoni e mjerë”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Petre Staneski ka komentuar duke e akuzuar për marrëveshjen kryeministrin aktual, Zoran Zaev, të cilit, sipas tij, nuk i intereson gjë tjetër pos që të jetë pjesë e Qeverisë, qoftë edhe dëm të interesave shtetërore.
“Për Zaevin mjafton që ai të jetë në Qeveri dhe të tjerët të jenë pjesë e Qeverisë, BDI, Alternativa, atij i mjafton të çojë para agjendën për shpërbërjen e ish-Republikës së Maqedonisë…”, tha Staneski.
Por, Sefer Selimi, aktivist i shoqërisë civile, thotë për Radion Evropa e Lirë, se komentet e tilla nuk ndikojnë në prishjen e raporteve ndëretnike./telegrafi/
Barku i madh shkakton osteoporozën edhe tek meshkujt
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...
Apple do ta mbajë kamerën telefoto periskop ekskluzivisht pë...
Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i ...
Ismajli vazhdon paraqitjet e jashtëzakonshme në Serie A
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...