Google ADS

Ndalimi i telefonave në shkollat e Podujevës, njohësit e arsimit thonë se sa e çuditshme aq edhe qesharake

10:55 | 24 Shkurt 2024
K.B

Po bëhet gati një muaj që nga vendimi i kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi për ndalimin e posedimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional dhe punëtorët tjerë në mjediset – ambientet e institucioneve edukative-arsimore para universitar në Komunën e Podujevës.

Vendim ky i bazuar në udhëzuesin nr. 20/2018 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Por sa do të ndikojë largimi i telefonave në ngritjen e cilësisë, njohësit e fushës së arsimit janë skeptik.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Argjend Osmani nëse nxënësit e përdorin telefonin për qëllime argëtuese, ndalimi është një vendim i duhur.

Megjithatë ai tha se duhet të konsiderohet se teknologjia informative, përfshirë edhe telefonat, mund të jenë të aplikueshme për qëllime arsimore.

“Nëse është konstatuar se nxënësit janë duke i aplikuar ato kryesisht për qëllime argëtuese atëherë mendoj se nën rrethana të tilla është një vendim i duhur, por gjithmonë duhet pasur parasysh se zhvillimet më të reja në fushën e arsimit mbërthejnë në vete edhe aplikimin e teknologjisë informative ku padyshim edhe telefonat mund të jenë të aplikueshëm, andaj në këtë kontekst unë mendoj se duhet punuar më shumë që pajisjet e teknologjisë informative përfshirë edhe telefonat mobil të aplikohen për qëllime arsimore natyrisht që kjo kërkon investime shtesë nga ana e komunës dhe nga ana e qeverisë të cilat fatkeqësisht nuk janë prezentë në masën e duhur”, tha Osmani.

Ndër të tjera, ai thekson se vendimet e tilla për ndalim të telefonave janë sa të çuditshme aq edhe qesharake.

“Vendimin duhet shikuar pra nga perspektiva, e para që aplikimi kryesisht për argëtim vjen si pasojë e mungesës së investimeve në infrastrukturën e rrjetit dhe në shtetet e zhvilluara ku arsimi qëndron më mirë se sa në Kosovë, vendimet e tilla për ndalim të telefonave janë sa të çuditshme aq edhe qesharake sepse teknologjia informative aplikohet në masë të konsiderueshme për qëllime arsimore.”, shtoi ai.

Osmani nuk është pro që të gjitha komunat të marrin një vendim të tillë, pasi që siç thotë ai, nga prizmi i aplikimit të teknologjisë informative në arsim, kjo bie ndesh me iniciativat që Kosova ka për integrimin e teknologjisë në sistemin arsimor.

“Do të ishte mirë që të shiheshin rezultatet e aplikimit të tillë në komunën e Podujevës e pastaj të merren vendime eventualisht pro ose kundër kësaj iniciative në komunat e tjera.”, shprehet ai.

Ndërkaq, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj tha se në parim nuk është pro politikave ndaluese por për politika zhvillimore.

“Ne vend se të ndalohen – nxënësit duhet mësuar si ti përdorin teknologjitë e reja për mësim e zhvillim. Në botë disa bëjnë ndalimin e disa qasjen zhvillimore.”, shtoi ai.

Arbresh.info u dërgoi pyetje edhe Ministrisë së Arsimit lidhur me këtë çështje por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit.

Vendimi MASHT-it që ndalon përdorimin e telefonit gjatë procesit mësimor, ka hyrë në fuqi në vitin 2018.

Në vitin 2023, një raport i Kombeve të Bashkuara kishte kërkuar që telefonat duhet të ndalohen gjatë mësimit në të gjitha shkollat e botës./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme