Google ADS

Ndalimi i importit të mallrave nga Serbia, Shahini: Të kërkohet zgjidhje

18:00 | 26 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Ndalimi i produkteve serbe për në Kosovë, është moment i mirë për prodhuesit vendorë dhe vetëdijesim që të konsumohen më shumë produktet vendore.

Kështu thonë përfaqësues të bizneseve në Kosovë, derisa ekonomistët vlerësojnë se ndalesa e produkteve serbe në Kosovë, nuk jep garanci që konsumatori do të furnizohet vetëm me prodhime vendore, sepse tregu  i Kosovës është i furnizuar me produkte nga shtete të ndryshme.

Ka mbi dy muaj që Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e produkteve me origjinë nga Serbia, përjashtuar këtu lëndën e parë që disa biznese furnizohen nga ajo.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se Serbia po bënë presion vazhdimisht te faktori ndërkombëtar për t’i lejuar produktet e gatshme në tregun e Kosovës, derisa një analizë e bërë nga AKB thekson se rreth 60 milionë, janë humbjet nga Serbia në këtë periudhë.

“Ka biznese që varen vetëm nga importi i tyre, ato i ka vënë në një pozitë jo të favorshme. Por Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë duhet që të shikojnë mundësinë e gjetjes së zgjidhjes së përhershme ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që bizneset e dy anëve të mos  ngarkohen apo të kenë humbje për shkak të politikave të cilat liderët politikë në kohë të caktuar marrin kundër njëra –tjetrës për t’ia rritur retingun vetvetes apo për t’ia anashkaluar problemet sociale që i kanë brenda shtetit të vet”, tha Shahini.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, vlerëson se vendimi i Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia  e ka përmbushur qëllimin dhe tani të dyja palët duhet të punojnë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.

Njohësi i ekonomisë, Erton Bega, thotë  se ky veprim është më tepër masë politike, sesa që mund të shkojë në favor të bizneseve vendore.

“Kjo nuk nënkupton që konsumatori ka për të shkuar te prodhimi vendor, ai shkon te një prodhim alternativ që teorikisht mund të jetë vendor ose origjinë tjetër dhe domosdoshmërish importi i Serbisë nuk është i lidhur me konsumin e produkteve vendore, sepse produktet vendore nuk konkurrojnë vetëm me produkte të Serbisë, por kanë konkurrim me të gjitha produktet. Kjo si masë, më shumë është politike, nuk është ekonomike”, tha Bega.

Ndryshe, brenda një viti Kosova ka importuar mallra nga Serbia afro 400 milionë euro.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, produktet e importuara nga Serbia gjatë vitit 2022 ishin pijet freskuese, gruri, benzina dhe vajrat, biskotat, misri, ushqimi për kafshë, etj./rtk/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme