Ndalen shtesat ende pa u shpallur e përfunduar pandemia, paralajmërohet padi

08:11 | 3 Korrik 2021
L G

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, është duke kërkuar nga institucionet e vendit që shtesat në paga për punëtorët të vazhdohen për të gjithë punëtorët shëndetësor, në të kundërtën të shpallë të përfunduar pandeminë, shkruan arbresh.info.

Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, për arbresh.info, tha punëtorët shëndetësor nuk kanë marr shtesat e parapara sipas ligjit për pandeminë madje ai tha se pas shumë kërkesave të tij nuk ka marr përgjigjeje as nga institucionet përkatëse për këtë çështje.

“Kam dërgu edhe një letër të radhës që të paktën të dalin publikisht dhe të tregojnë se përse i kanë ndalur këto shtesa. Unë konsideroj që është një ofendim tash brenda punëtoreve e kemi një zhgënjim shumë të madh”, tha Syla.

Syla tutje tha se këto shtesa janë të parapamë sipas ligjit në fuqi anti-covid, neni 20, ku thotë se shtesat mbi pagë për të gjithë punëtorët shëndetësor dhe stafin mbështetës duhet të vazhdojë deri në përfundim të pandemisë.

“Ne do të tentojmë prapë deri sa t’i shterim të gjitha mundësit e me siguri që do të shkojmë edhe me padi do të konsultohemi me jurist për shkelje të ligjit”, deklaroi Syla.

Në një përgjigjeje për arbresh.info, Ministrin e Financave, tha se në këtë muaj nuk ka pasur shtesa pasi që ka kaluar afati i vendimit të Qeverisë, dhe të gjitha shtesat janë shpenzuar për muaj paraprak.

“Procesimi i pagave për muajin qershor për të gjithë zyrtarët publik të cilët pranojnë paga nga buxheti i Kosovës është bërë sipas legjislacionit në fuqi. Në pagat e muajit qershor nuk ka pasur shtesa duke pasur parasysh që ka kaluar afati i vendimit të Qeverisë dhe mjetet e ndara janë shpenzuar në muajt paraprak sipas vendimit të Qeverisë për shtesat”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Mjekët e infermierët deri në muajin e kaluar kanë marrë shtesë prej 150 eurosh në paga, ndërkaq stafi mbështetës nga 100 euro. /S.D/arbresh.info/

Të ngjashme